Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë në inaugurimin e rrugës turistike “Anastas Durrsaku” në qytetin e Durrësit. Në ceremoninë e prerjes së shiritit, ishin të pranishëm përfaqësues të pushtetit vendor, si dhe kryetari i bashkisë së Durrësit Lefter Koka.

Një kontribut të veçantë për rikonstruksionin e kësaj rruge me vlera kulturore, dhanë përfaqësues të biznesit të qytetit të Durrësit, në bashkëpunim edhe me bashkinë e këtij qyteti. Shiritin e përurimit e preu prefektja e qarkut Ingrid Shuli, ndërsa më pas kreu i qeverisë Nano përshkoi në këmbë rrugën që të çon në Amfiteatrin e Durrësit, ku u njoh edhe më nga afër me zbulimet dhe punimet e reja në të.

Kohët e fundit, qyteti bregdetar po përjeton ndryshime të rëndësishme, duke reflektuar përpjekje serioze të pushtetit të atjeshëm, për t’i rikthyer qytetit vlerat e dikurshme arkitekturore./tvklan.al

Gazetare: Mira Kazhani