Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Në mbyllje të vitit kryeministri Nano, arriti të pohojë abuzimet dhe korrupsionin në mjekësi. Akuzat e tij i shpalosi në analizën e Ministrisë së Shëndetësisë, duke thënë, se korrupsioni ishte pjesa e sëmurë e shoqërisë. Me tone të ashpra të para 6 muajve, ai vuri përpara përgjegjësisë drejtuesit e saj për mosrealizim të planeve, madje duke vendosur dhe detyra për frenim dhe gjobitje, apo largim nga puna të personelit të korruptuar, që sipas tij ekziston.

Kryeministri Fatos Nano:- “Në të njëjtën kohë që ne vonohemi, shqiptarët me gjithë kursimet e tyre të jetës dhe të gjakut ikin jashtë shtetit dhe kurohen në spitale që mund të ndërtohen tani në Shqipëri. Ka dosje dhe projekte zoti ministër, që flenë prej muajsh edhe në zyrën time, pa le në zyrën tuaj, për të bërë investime publike dhe private, që sjellin përmirësimin dhe transformimin rrënjësor të gjendjes në shërbimin spitalor për shqiptarët”.

Ministri detyrohet të bëjë 6 muaj më vonë bilancet e fillim vitit, e deklarojë ndryshimet, por në këtë raport nuk përfshihet se sa është luftuar korrupsioni, pavarësisht se ka një strategji për të. Në shërbimet spitalore, sidomos në ato të urgjencës gjatë kontrolleve janë vërejtur probleme.

QSUT sipas sekretares së përgjithshme të ministrisë i janë shtuar ekzaminimet, kanë nisur by-pass-et që thuhet se kanë minimizuar kërkesat për kurim, jashtë vendit. Çdo 6 mujor thuhet, se evidentohen problemet, e puna është bërë më mirë se 6 muaj më parë, por asnjëherë me vite, gjërat nuk po shkëlqejnë./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti