Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Është i kënaqur dhe optimist për punën e deritanishme të anëtarëve të qeverisë që drejton. Kryeministri Fatos Nano gjatë analizës së punës për gjashtë muajt e parë të vitit, theksoi se në Shqipëri investimet nga bisnesi vendas dhe i huaj do të arrijnë shifrën një miliard dollar. Shuma më e madhe e investuar gjatë 16 viteve të fundit.
Për punën e institucioneve të drejtësisë, të kritikuar në disa raporte të organizmave ndërkombëtar, gjë që është theksuar dhe nga zv/kryeministri Ilir Meta, kreu i qeverisë Nano, foli gjithashtu optimist. Ai e cilësoi përfundimisht një fitore të policisë së shtetit luftën kundër trafikut të njerëzve.
Është përmirësuar ndjeshëm sipas tij edhe puna në shërbimin përmbarimor gjyqësor, ku janë ekzekutuar deri tani 80% e vendimeve gjyqësore. Nano në fund të analizës ka renditur dhe një numër kërkesash, të cilat ai kërkon të përmbushen nga anëtarët e qeverisë gjatë muajve të ardhshëm.
Kryeministri Fatos Nano:- “Zonja dhe zotërinj ministra, ne mbetemi të gjithë të vetëdijshëm, se na presin përpara sfida të rëndësishme. Preokupimi kryesor i qeverisë, për gjashtë muajt e dytë të këtij viti, krahas vazhdimit të zbatimit të këtij viti, krahas zbatimit të programit 35 mujor të punës, mbetet arritja sa më e shpejtë e efekteve të reformave dhe transformimimeve tek të gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë. Vendi ka nevojë për një shtet ligjor edhe më të fortë, ka nevojë për më shumë investime, vende pune dhe mirëqenie”./tvklan.al