Një deklaratë e bërë nga Kryeministri Edi Rama në intervistën për mediat italiane, ka krijuar një debat të ri mes opozitës dhe shefit të qeverisë.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi, në një postim në Facebook shkruan se Kryeministri Rama ka gënjyer në formularin e Dekriminalizimit dhe duhet t’i hiqen të gjitha funksionet që ka.
“Në mes të hallit që ka zënë të gjithë, kur njerëzit janë mbyllur në shtëpi dhe shpesh nuk kanë mundësi të sigurojnë bukën e fëmijëve, apo biznesi u është mbyllur, Rama deklaroi në median italiane se vite më parë është arrestuar në Bolonja sepse kishte kundërshtuar një punonjës policie. Ka një problem të madh me këtë deklarim: Është arrestuar nga policia. Kryeministri nuk e ka deklaruar këtë arrestim në formularin e Dekriminalizimit! Në rast mosdeklarimi ligji dikton se ai humbet të gjitha funksionet publike. Edhe si deputet edhe si Kryeministër. Ligji i Dekriminalizimit i kaluar me shumicë të cilësuar nuk pezullohet me akt normativ as në kohë lufte apo pandemie. Sa për t’ia kulluar mendimet Kryeministrit, dy deputetë janë larguar nga Parlamenti për kaq gjë. Thjesht sepse nuk deklaruan arrestin.
Edi Rama duhet të sqarojë urgjentisht nëse ka gënjyer për propagandë se është arrestuar në Bolonja pasi kundërshtoi një punonjës policie, në të kundërt institucionet duhet të nisin menjëherë procedurën e parashikuar nga Ligji i Dekriminalizimit për mosdeklarim në formularin e Dekriminalizimit të arrestimit nga policia”.
Por pas kësaj deklarate të Bylykbashit, ka reaguar menjëherë Kryeministri Edi Rama, duke sqaruar se në intervistën për mediat italiane kishte sjellë një shembull.
“O Zot të lutem në gjunjë t’u japësh pak vaj për kandilin e trurit, se u është fikur krejt e nuk dinë ç’nxjerrin nga terri i gojës! Unë flas me mediat italiane për racizmin antishqiptar në Itali gjatë viteve ’90, duke sjellë shembull një sherr me një polic në aeroport, po këta?!
Këta flasin për formularin e dekriminalizimit ku s’paskam deklaruar ndalimin nga policia! O Zot pse nuk e pate mendjen kur i krijove këta, po i le si karabina pa mure, pa elektrik, pa ujë?! Ndërhyr Zot i madh se gjynah këta, po gjynah edhe ky popull që çfarë nuk dëgjon prej tyre”! /tvklan.al