Kryeministri i vendit Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane Corriere della Sera lidhur me emisionin “Report” të transmetuar më 21 Prill në “Rai 3”, për ato që u thanë jo vetëm në investigimin për marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët, por më tepër për deklaratat që e pasuan atë.

Në intervistë për median italiane, kryeministri Rama e ka quajtur investigimin të neveritshëm dhe shumë paragjykues teksa ka thënë se nuk ka folur me kryeministren italiane, Melonin në lidhje me këtë çështje. Rama ka shtuar se ka kontaktuar me drejtorin e Rai 3, Corsinin, të cilit i ka komunikuar një fakt shumë të rëndë për të cilin thotë se në rrethana të tjera nuk do e kishte informuar.

Pyetje: A ju duket e drejtë dhe normale që kryeministri i një vendi tjetër, të bëjë presion në televizionin shtetëror?

Edi Rama: Para se t’i hedhin fajin natyrës së fjalës time, miqtë e mi në opozitën në Itali duhet të interesohen për shkaqet dhe të përpiqen që të kuptojnë se dinjiteti dhe transparenca janë të rëndësishme si kur flitet për shërbimin publik italian dhe kur bëhet fjalë për institucionet publike shqiptare si dhe personat që i përfaqësojnë ato. Nuk kam as qëllim dhe as mjete që të imponoj diçka në punët e brendshme të vendit tuaj. Por unë kam për detyrë të mbroj vendin tim nga steriotipi i tmerrshëm i një epoke tjetër të krijuar nga mediat në Itali për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Pyetje: A është e vërtetë se puna në qendrat e strehimit të emigrantëve janë prapa planit? Dhe se 650 milionë shpenzimet e planifikuara në 5 vjet janë rritur në 1 miliard?

Edi Rama: Çfarë kanë të bëjnë me ne të gjitha polemikat në shtëpinë tuaj për flukset, kostot, kontratat e kështu me radhë? Asgjë. Dhe çfarë lidhje ka fakti që sekretari i përgjithshëm i qeverisë shqiptare ishte avokat penal në Itali më shumë se dhjetë vjet më parë me marrëveshjen për emigrantët? Dhe për çfarë arsyeje që nuk ka kuptim duheshin thënë gënjeshtra dhe shpifje të eksportuara nga Shqipëria në Itali, për t’u hedhur si gurë shtrigave në sytë e audiencës së Report?

Pyetje: Ish-avokati Engjëll Agaci, i cili dikur mbronte mafiozët dhe trafikantët shqiptarë të drogës dhe tani është sekretar i përgjithshëm i qeverisë, është njeriu kyç i protokollit apo jo?

Edi Rama: Ndaj Agaçit ka pasur një furi joracionale. Pasi censuruan pyetjen e kërkuar nga programi nga sekretari i përgjithshëm dhe i pranuar prej tij, pasi ai u përgjigj me email, ata vazhduan ta akuzonin se nuk kishte pranuar të përgjigjej. Ishte një gjë shumë e madhe për t’u gëlltitur në heshtje.

Pyetje: A është për një formë dëmshpërblimi që i kërkuat drejtuesit të “Report”, Sigfrido Ranucci, që të mund të përgjigjet me një intervistë live?

Edi Rama: Unë nuk kam kërkuar asnjë dëmshpërblim. Të enjten kam shkëmbyer një mesazh miqësor me drejtuesin Ranucci pasi kam publikuar në rrjetin social X reagimin për fjalimin e tij në një televizion shtetëror. Ndoshta më në fund do të arrij që të them dhe qëndrimin tonë në programin e tij pa u censuruar.

Pyetje: Opozita akuzon Melonin se po ndjek modelin Orban për çështjen e të drejtave civile dhe lirisë së informacionit dhe shtypit. A e kanë gabim, apo ka vërtet diçka për t’u shqetësuar?

Edi Rama: Si mund të them se kush ka të drejtë dhe kush e ka gabim, nëse duke ndërhyrë për një çështje shumë serioze të censurës dhe dezinformimit të lirë që prek Shqipërinë, u gjenda në mes të stuhisë italiane?

Pyetje: A keni folur me Giorgia Melonin?

Edi Rama: Nuk kam folur me Giorgia Melonin, sepse e imja është një betejë për të vërtetën dhe dinjitetin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kryeministrja juaj nuk ka asnjë lidhje me të, edhe pse vendi im u bë si një objektiv i sulmit kundër qeverisë së saj.

/tvklan.al