Kryetari i qeverise shqiptare e cilësoi një ogur të mirë për të gjitha vendet që aspirojnë NATO-n anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun Sanader, Berisha garantoi se të dy vendet do të jenë avokatët më të mirë duke ofruar gjithashtu ndihmën e nevojshme që bënte e mundësuar  anëtarësimin e vendeve të tilla si Kosova, Bosnje-Hercegovina apo Mali i Zi. 

Çështja e pazgjidhur e emrit, që mban peng ftesën për Maqedoninë përbente po aq një interes mediatik.  Kryeministri dha vlerësimin e tij mbi këtë çështje, tashmë nga pozitat e kryetarit të qeverisë të një vendi anëtar të NATO-s.

Sali Berisha: “Për sa i përket problemit të emrit dhe diskutimit që ekziston midis dy vendeve, ne shpresojmë ajo të zgjidhet në interesin më të mirë të të dy vendeve dhe të rajonit dhe në këtë aspekt Maqedonia e ka vendin të sigurt në Aleancën e Atlantikut të Veriut, pritet vetëm zgjidhja e problemit që ka me Greqinë.”

Si përgjigje ndaj interesit të gazetarëve kryeministri zbardhi gjithashtu procedurat që do të zbatojë qeveria për të kompletuar stafin përfaqësues të Shqipërisë në aleancë. 

Sali Berisha: “Shqipëria këtu ka një mision me një staf të shkëlqyer, që ka bërë një punë të jashtëzakonshme kalimin në anëtar si të plotë kërkon që ekipet e tyre të plotësohen me të gjithë ekspertët me të gjithë zyrtarët funksionar, dhe me të gjithë teknologjinë dhe mjetet e duhura. Shqipëria nuk do të kursejë asgjë për t’u dhënë mundësinë atyre të përmbushin të gjithë detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi i vendit në aleancën e Atlantikut të Veriut.”

Në deklarimin që parapriu  konferencën për shtyp kryeministri e vlerësoi të rëndësishme të theksonte entuziazmin e jashtëzakonshëm siç e cilësoi,  me të cilin shqiptarët e priten anëtarësimin në NATO./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi