Kryeministri Sali Berisha garantoi rritje të re për pagat dhe pensionet.
Gjatë mbledhjes së qeverisë, zoti Berisha tha se mazhoranca që drejton do t’i qëndrojë kësaj kontrate me qytetarët shqiptarë për sa kohë do të votohet.
Sali Berisha: “Pagat do rriten, pensionet do rriten. Qytetarët shqiptarë duhet ta kenë shumë të qartë zotimin para tyre. Sa të na votojnë do kenë rritje e rrogash dhe pensionesh. Kontratë kjo, kontratë të cilit ne i qëndrojmë.”
Qeveria miratoi dhe vendimin për ngritjen e dy institucioneve të reja, avokatit dhe taksapaguesve, si dhe Këshillit Konsultativ Tatimor.
Krijimi i tyre, tha kryeministri, garanton si shlyerje vullnetare të detyrimeve që taksapaguesit i kanë shtetit ashtu dhe detyrimet që shteti ka ndaj tyre.
Sali Berisha: “Do të vendoset në përputhje me kërkesat e prera të Praktika Evropiane dhe Komisionit Evropian deklarata personale e të ardhurave për të gjithë qytetarët. Është një dokument që i shton shumë detyrimet e Ministrisë së Financave dhe financave të vendit në tërësi ndaj qytetarëve. Mbi bazën e tij, ata do të detyrohen t’u paguajnë qytetarëve në fund të vitit të gjitha taksat e tepërta që kanë paguar. Ata do të mbledhin faturat dhe në fund do kenë të drejtë në përputhjen me të ardhurat e tyre, të marrin detyrimet që kanë paguar me tepricë. Qytetarët futen në dyqan dhe mendojnë se nuk paguajnë taksa. Në të vërtetë paguajnë në çdo gotë ujë. E kam thënë këtë kur kam qenë në opozitë, tani do ta them dy herë që jam në qeveri.”
Kryeministri tha se qeveria mbetet e angazhuar ta lehtësojë veprimtarinë e biznesit, duke nxitur masa të cilat garantojnë funksionim transparent të sistemit tatimor.
Në vendimet e rëndësishme që mori qeveria ishte edhe ai për ngritjen e një komisioni që do të trajtojë ankesat për prokurimet publike, procedurë që deri tani kryhej nga Agjencia e Prokurimeve Publike.
Sali Berisha: “Normat evropiane dhe standardet kërkojnë që kjo agjenci të mos ketë këtë fuqi. Kjo përgatit procesin, krijohet një komision i Prokurimit Publik, i shkëputur tërësisht nga agjencia. Do të jetë ky komision që do merret me shqyrtimin e ankesave të prokurimeve publike. Ngritja e këtij komisioni finalizon në njëfarë mënyre procesin e reformës së prokurimeve publike”.
Qeveria vendosi të ngrejë edhe bordin e pavarur për financimin e shoqërisë civile, praktikë që zbatohet për herë të parë në vendin tonë.
Kryeministri e vlerësoi me rëndësi këtë hap, nisur edhe nga kontributi i madh që ka dhënë dhe jep shoqëria civile në zhvillimin e shoqërisë shqiptare.
Sali Berisha: “Qeveria duhet të paguajë në mënyrë të veçantë kritikë të saj, organizatat që merren me denoncimin e korrupsionit. Është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe unë shpresoj që bordi të ketë parasysh edhe këtë si një ndër destinacionet e rëndësishme. Nuk do të ketë ndërhyrje nga qeveria në mënyrë absolute. Problemi i vetëm që disa sektorë janë më të ndjeshëm për shoqërinë dhe për vendin, ndaj dhe unë shpresoj që ky bord që ngrihet të shënojë arritje në mirëpërdorimin e këtij fondi”.
Gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri kërkoi të ndërhyhet edhe në ligjin mbi pasuritë minerare, në mënyrë që prej këtyre të fundit të kenë përfitim financiar jo vetëm bizneset, por edhe komuniteti./tvklan.al