Kryeministri Berisha përuroi sot një seri objektesh infrastrukturore në bashkinë e Kamzës, përurime që sipas shefit të ekzekutivit janë në përputhje me zotimin e qeverisë për të shndërruar Kamzën në një nga qytetet më moderne të Shqipërisë.

Fillimisht kryeministri inauguroi “Bulevardin Blu” një investim prej 500 milionë eurosh i qeverisë për të vazhduar më tej me rrugën Skënderbeu dhe rrugën NATO. Gjatë fjalës së tij në inaugurimin e fillimit të punimeve për pallatin e ri të kulturës në Kamëz, kreu i qeverisë u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në votat e tyre pavarësisht bindjeve politike.

Sali Berisha: “Inauguruam “Bulevardin Blu”, bulevardin e zemrës dhe shpirtit tuaj, inauguruam Bulevardin “Skënderbeu”, Bulevardin e NATO-s, inauguruam fillimin e punimeve për rrugën e Çekrezit, si dhe fillimin e punimeve për një Pallat Kulturor madhështor. Të gjitha këto janë në përputhje me zotimin tonë për të shndërruar Kamzën në një nga qytetet më moderne të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kryetarit të bashkisë zotit Mziu i kërkova të gjejë truallin për të ndërtuar një nga pallatet e Sportit më të mira në Shqipëri këtu në Kamëz. Sot thirrja vëllazërore për ju është  të bashkohemi të gjithë pavarësisht nga bindjet dhe të votojmë për Kamzën Europiane, për Shqipërinë Europiane. Qytetarë dhe qytetare të Kamzës këto tre ditë që na kanë mbetur le të trokasim në zemrën e çdo shqiptari, çdo miku, çdo shoku. çdo shoqeje, çdo të njohuri, të afërmi ti kërkojmë atij të bashkohet me ne në projektin tonë të madh, në ëndrrën tonë Europiane. 28 qershori është dita e madhe e të gjithë shqiptarëve, është dita e ëndrrës tonë të bukur, është dita e katër viteve të ardhshme që do ndryshojnë Kamzën dhe Shqipërinë më shumë se kurrë në tërë historinë e tyre.”

Duke e vlerësuar 28 qershorin si ditën e zgjedhjeve më dinjitoze që do të ketë Shqipëria, Berisha  ftoi të gjithë shqiptarët që të shkojnë në kutitë e votimit bashkërisht si familje, por me apelin e votës individuale.

Sali Berisha: “Në këto zgjedhje ne shkojmë me dinjitetin më të madh. Ne shkojmë drejt tyre për zgjedhjet më të bukura dhe më dinjitoze që ka pasur Shqipëria. Janë zgjedhjet e para që ne zhvillojmë pasi kemi realizuar regjistrin kombëtar, civil,  elektronik, pasi kemi realizuar listat elektronike të zgjedhësve dhe pasi jemi pajisur me letërnjoftimet elektronike. Thirrja ime vëllazërore për ju dhe për të gjithë shqiptarët të shkojmë tek kutitë e votimit bashkërisht si familje, por të votojmë si individë, dhe të mos dëmtuar zgjedhjet me votim familjar, sepse këtë radhë duhet ti faktojmë vetes, Evropës se ne do të trokasim në dyert e saj si qytetarë të lirë, me votën tonë të lirë, me votën tonë individuale dhe me infrastrukturën më moderne. …”/tvklan.al