Partia Socialiste kërkon përjashtimin e 24 deputetëve të Partisë Demokratike pas kaosit në seancën e sotme parlamentare.
Socialistët i kanë dërguar një letër kryeparlamentares Elisa Spiropali ku kërkojnë përjashtimin e deputetëve Gazmend Bardhi, Flamur Noka, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Saimir Korreshi, Lefter Gështenja, Luan Baçi, Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Ramadan Lika, Asllan Dogjani, Qani Xhafa, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Lodovik Hasani, Kasem Mahmutaj, Edmond Spaho.
“Gazment Bardhi, Flamur Noka, Bledion Nallbati goditën me mjete shumë të forta drejt kryetares së Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, mjete të cilat mund të rrezikonin dhe jetën dhe vënia në rrezik e jetës brenda sallës së Kuvendit të Shqipërisë është e papranueshme. Deputetët e opozitës vijuan me kaosin në sallë duke nxjerrë jashtë nga salla e parlamentit karriget të cilave më pas u vendosën flakën duke rrezikuar kështu përhapjen e flakëve në godinë”, thuhet në shkresën e PS.
Ata kërkojnë mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën dhe kërkon që ndaj tyre të merret masa disiplinore.
Kujtojmë që seanca parlamentare e kësaj të hëne u karakterizua nga kaosi dhe tensionet. Deputetët e PD-së nisën aksionin e tyre të paralajmëruar pas burgosjes së Ervin Salianjit./tvklan.al