Kryeministri ishte në Vlorë dhe Kavajë si pjesë e turit elektoral për të prezantuar programin e ri qeverisës së demokratëve dhe kërkuar votën qytetarëve për një mandate të dytë.

Takimi në Vlorë u parapri nga inaugurimi  i asaj që njihet si rruga e Bregut, prej 80 kilometra, që kryetari i qeverisë e vlerësoi si një nga  investimet më të shkëlqyera për turizmin.  Po në Vlorë u inaugurua TEC-i  një instalim i teknologjisë moderne prej rreth 122 milionë euro.

Qytetarëve në shesh kryeministri u tha i sigurt se 28 qershori do të shënojë fitoren e projektit Europian për vendin ku Vlora ka një vend të pazëvendësueshëm.

Sali Berisha: “Më 28 qershor shqiptarët do të votojnë më të bashkuar se kurrë për të shndërruar në realitet ëndrrën e tyre evropiane, për të bërë që së shpejti në atë vend të shenjtë, në atë shtyllë të flamurit tonë kombëtar, krahas tij, të ngrihet flamuri i Evropës së bashku me flamurin e NATO-s në mbarë Shqipërinë. Po vërshonin pa u përmbajtur uragani i fitores sonë, uragani i lirisë, uragani i fitores Europiane, të vlonjatëve, të Vlorës Europiane, të Shqipërisë Europiane.”

Për Vlorën projekti i demokratëve synon të vërë në funksion të plotë të gjitha resurset e saj turistike. Asfaltimi i gjithë rrjetit rrugor të këtij qarku, por dhe ndërtimi i portit më të madh në rajon janë disa nga projektet që do të nisin menjëherë prej zbatimit. Për Vlorën siç tha kryeministri do të angazhohen plot 2 miliard euro që prej fillimit të mandatit të dytë.

Sali Berisha: “Flota e portit gjigand në Adriatik dhe në Mesdhe, është Vlora metropoli i turizmit është Vlora e universitet më modern dhe tu bëjmë ne thirrje të gjithë vlonjatëve dhe vlonjateve pavarësisht nga bindjet e tyre, le të bashkohemi ne. Vlora ka sot sistemin e saj energjetik më modern, më të ri, më të fuqishëm. Investimet në Vlorë që nisin së shpejti tejkalojnë vlerën mbi 2 miliardë euro. Porti do të jetë vepra më e madhe publike e këtij vendi. Porti dhe korridori i kombit do të lartësojnë Vlorën, do të lartësojnë Shqipërinë, do të zhvillojnë Vlorën dhe Shqipërinë më shumë se çdo gjë tjetër.”

Për fermerët kryeministri Berisha garantoi financim pa asnjë kufizim për kulturën e ullirit agrumeve apo dhe subvencionim të naftës dhe inputet për sipërfaqet e mbjella.  Ndërsa prezantoi projektet për qytetin bregdetar kryeministri nuk harroi që thirrjen për bashkim tua drejtojë edhe socialistëve. 28 qershori tha Berisha është një ditë historike për vendin përcaktuese për të ardhmen evropiane të tij…/tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi