Turi elektoral i kryeministrit Sali Berisha u përqendrua në fundjavë në skajin më jugor të vendit, pikërisht në Sarandë, ku ai është pritur nga mijëra qytetar. Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha ka deklaruar se Saranda ka qenë në përparësitë e qeverisjes në këto katër vite në ndërtimin e infrastrukturës rrugore, kanalizimeve, ujësjellësve, shërbimeve të universitetit dhe shkollave. Kreu i qeverisë ka theksuar se vetëm vitin e  kaluar Saranda ka pritur 300 mijë turistë sa ka patur e gjithë Shqipëria në vitin 2004.

Sali Berisha: “Gjatë ditës unë vizitova rrugën Konispol-Sarandë, loti i parë i saj prej 7 kilometrash është i standardeve më moderne europiane dhe ka përfunduar. Sapo kthehem nga Delvina dhe vizitova punimet e autostradës Delvinë-Kardhiq, autostradë e cila afron së bashku me boshtin e jugut Tiranën me Sarandën 100 kilometra. Një qytetar më përqafon dhe më thotë: “Unë jam socialist por unë erdha nga rruga e detit mu duk vetja sikur isha jashtë shtetit, do të të jap votën.”

Me tej kreu i qeverisë ka premtuar se do të financojë çdo projekt që do të vijë nga kryetari i bashkisë për ta bërë Sarandën gjithnjë e më shumë europiane.

Sali Berisha: “Qeveria ju garanton se do të financojë të gjitha projektet për përpunim e ujërave të zeza, furnizimin 24 orë me ujë të Sarandës, për zgjerimin e  portit, për mbarimin e saj, për aeroportin për të cilin ka përfunduar tërësisht projekti. Por unë jam këtu për tu zotuar para fermerëve të Sarandës se qeveria ime do t’iu mbështesë ata në të gjitha projektet.”

Kryeministri Sali Berisha i ka ftuar të gjithë të pranishmit ti bashkohen projektit Europian pavarësisht ngjyrimeve politike që ata kanë.

Sali Berisha: “Thirrja ime është pa dallim, ndaj dhe unë ftoj të gjithë qytetarët shqiptar para se të vendosim le të mendojmë se cili, kush e realizon më me siguri dhe më shpejt këtë projekt dhe të votojnë pikërisht mbi këtë bazë. Ne u garantojmë atyre se vota për projektin tonë Europian është vota më e sigurt për vetën dhe të afërmit e tyre.

Kryeministri Berisha ka marrë pjesë edhe në inaugurimin e ujësjellësit në fshatin Zvicera të Dropullit të Sipërm ku dhe zhvilloj një takim me banorët e zonës. Në fjalën e tij kreu i ekzekutivit ka deklaruar se në katër vitet që do të vijnë do të investohet për asfaltimin e të gjitha rrugëve të kësaj zone.

Sali Berisha: “Unë ju garantoj se në katër vitet që vijnë do të investojmë në këtë për të asfaltuar të gjitha rrugët që me sa duket njëra ka mbetur rruga e Koshovicës. Do të investojmë në furnizimin 24 orë me ujë të çdo familje dhe të çdo fshati të zonës suaj, por edhe të gjithë Shqipërisë.” …/tvklan.al