Nga Kamza ku ka vijuar turin e tij “Shqipëria po ndryshon” kryeministri Berisha ka akuzuar rivalin e tij politik, i cili njëherësh drejton dhe bashkinë më të madhe në vend, se ka bazuar politikën e tij mbi mashtrime për të hedhur poshtë punën e qeverisë.

Sali Berisha: “Kreu i Partisë Socialiste ka ndërmarrë fushatën e shpifjeve, trillimeve, mashtrimeve. Do t’ia kishte lakmi edhe ati i tij shpirtëror, Enver Hoxha. Ai flet për Sali Berishën njëlloj si Hoxha për udhëheqësit e vendeve të lira. Ju do t’i rezervoni atij atë fund që meritojnë të gjithë ata, të cilët duan të ndërtojnë karrierën e tyre mbi kthetrat e mafies. Një njeri që ka kaluar fëmijërinë duke lëpirë dhe bustet e Enver Hoxhës nuk mund të drejtojë dhe të ardhmen në këtë vend”.

Edhe pse e ka akuzuar kryebashkiakun Rama për mosrealizim të investimeve Berisha gjatë një takimi me banorët e Kamzës ka konfirmuar se kjo s’do të ndikojë aspak për të limituar fondet që qeveria i akordon bashkisë së Tiranës.

Sali Berisha: “Qeveria do të akordojë sërish dhe sërish as dhe një qindarkë për ty dhe mashtrimet e tua që të gjitha, për qytetarët e Tiranës, për fëmijët e Tiranës, për të moshuarit e Tiranës.”

Dallimet partiake për Berishën nuk do të ndikojnë aspak në bashkëpunimin e qeverisë me pushtetin lokal dhe këtë ia kanë konfirmuar dhe kryetarët e komunës Zall-Herr, i zgjedhur vendori i opozitës, kjo gjatë prerjes së shiritit për inaugurimin e rrugës Bathore-Zall Herr, një investim me vlerë 51. 5 milion lekë.

Sali Berisha: “Kemi vendosur një partneritet midis qeverisjes qendrore dhe qeverisjes vendore, partneritet që në mënyrë absolute, kategorike, nuk do mund të bëjë asnjë lloj dallimi me ngjyra partiake, por do jetë i tëri në interesin më të mirë të banorëve, të qytetarëve shqiptarë”.

Me ironi Berisha i është përgjigjur dhe interesit të gazetarëve për të marrë opinionin e tij në lidhje me protestën e opozitës.

Sali Berisha: “Ky është një vend demokratik. I vetmi urim që kam unë, të mos u bjeri shi për t’jua prish atë miting”.

Në bashkinë Kamzë kryeministri ka prerë shirita inaugurimi për përfundimin e fazës së parë të rrugës në lagjen Laknas, një investim 76.8 milion lekë.

Berisha ka inauguruar mbylljen e fazës së parë të linjës 20 kilovolt të qendrës Bathore me një vlerë 5 milion dollarë, ndërsa vazhdon faza e dytë, e cila ka një kosto 7 milion dollarë.

Po ashtu kryeministri ka inspektuar dhe përfundimin e punimeve të fazës së parë të ujësjellësit të Bathores me vlerë 67.3 milion lekë, ndërsa ka vënë tullën e parë për fillimin e punimeve për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare, Laknas, edhe ky një investim i qeverisë shqiptare prej 41.4 milion lekësh./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka