Edicioni i 13 i emisionit Opinion i gazetarit Blendi Fevziu, filloi mbrëmë me përballjen e Kryeministrit Sali Berisha me një panel gazetarësh, gjatë së cilës ai iu përgjigj interesit të tyre për negociatat për formimin e qeverisë së re dhe prioritet që do të ketë kabineti i ri për katër vitet e ardhshme.

Sipas Berishës përbërjen e qeverisë së re e kanë caktuar shqiptarët me votën e tyre në 28 qershor, duke shënuar kështu dhe një epokë të re mes të djathtës dhe të majtës. Kryeministri ka theksuar madje se ka patur dhe propozime nga Edi Rama për të bërë koalicion PS-në dhe për të mos bërë me Metën.

Sali Berisha: “Përzgjedhja e këtij kabineti ka qenë një proces i vështirë për mua sepse me një kabinet, me një ekip ne anëtarësuam Shqipërinë në NATO, një arritje madhore historike. Nga ana tjetër qytetarët shqiptar, votuan për një epokë të re në marrëdhëniet politike midis forcave politike, midis të majtës dhe të djathtës. Diktuan një koalicion, kjo përbën një risi të qartë në rrafshin edhe politik, po dhe në rrafshin social do të thosha që përbën një risi pozitive.”

Blendi Fevziu: “A keni patur propozim nga zoti Rama për bashkëqeverisje?”

Sali Berisha: “Përpjekje të shumta, propozime, sugjerime të shumta. Po ka patur për pjesë propozime të ndryshme, qoftë për koalicion, qoftë për mbështetje të jashtme, por për të mos bëjë koalicioni më LSI-në, por këto natyrisht nuk kanë qenë në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.”

Dy do të jenë objektivat kryesore të qeverisë në katër vitet e ardhshme ka deklaruar kryeministri Berisha. Ndërtimi i një infrastrukture të re dhe digjitalizimi duke mos harruar liberalizimin e vizave i cili do të vijë në vitin e parë të mandatit të dytë.

Sali Berisha: “Unaza e madhe e Tiranës është e domosdoshme dhe do bëjmë çdo gjë për realizimin e këtij projekti, do jetë një nga projektet më të mëdha.”

Blendi Fevziu: “Që do jetë dhe bashkëpunimi juaj me Edi Ramën, mesa duket këto 4 vjet.”

Sali Berisha: “Tani, ka një gjë këtu. Unaza e Madhe në tërësi shtrihet jashtë qytetit të Tiranës, e detyrueshme është që të zbresë ndofta gjer tek Ura e Limuthit. Kamza do të përjashtohet me çdo kusht nga trafiku. Në mënyrë që trafiku që vjen nga veriu të mos hyjë në Kamzë, por Fushë Krujë- Limuth.”

Blendi Fevziu: “Është një projekt që kërkon disa qindra miliona euro zoti Berisha. 400 milion me dashamirësi.”

Sali Berisha: “Është një projekt që kërkon të paktën 400 milion minimumi. Do bëjmë çdo përpjekje me koncesion, kanë treguar interes kompani serioze, por në rast se kjo nuk ecën ne jemi të detyruar të mobilizojmë buxhetin për të hyrë të këtë projekt sepse ndërtimi i rrugës së Arbrit e bën jetik segmentin nga Ura e Brarit tek Ura e Limuthit.”

I pyetur për pretendimet e Partisë Socialiste për parregullsi në zgjedhjet e 28 qershorit,numri një i ekzekutivit ka deklaruar se PS-ja nuk ka prova. Berisha ka komentuar edhe zhvillimet më të fundit brenda selisë rozë duke thënë se qëndrimet e Ramës po shkatërrojnë Partinë Socialiste.

Sali Berisha: “Zgjedhjet e 28 qershorit, janë zgjedhjet e para në historinë e këtij vendi, kur rezultati i 4700 qendrave të votimit është i certifikuar me firmën e të gjithë komisionarëve, pa asnjë vërejtje. Opozita kërkon numërimin e Beratit, u hap ajo kuti  s’doli mandati. Opozita është shumë e mirëpritur, e mirëseardhur. Unë prapë i theksoj zotit Rama, mos të mendojë se nëpërmjet bllokimit të procesit të vizave  do mund të sjellë përfitime.”

“Pse mund ta bllokojë kjo?”

Sali Berisha: “Po kjo atë synon ajo. Mendon se do e bllokojë këtë. Formula është jashtëzakonisht edhe un them një gjë. …/tvklan.alGazetari: Eno Luarasi