Sali Berisha: “Një qëllim madhor u realizua. Shqipëria nuk është më delja e zezë e Ballkanit për zgjedhje jo të mira”.
Kryeministri Sali Berisha përcolli këtë fraze si konkluzion kryesor te raportit final te OSBE/ODHIR mbi zgjedhjet parlamentare te 28 Qershorit 2009.
Berisha solli si shembuj dy fakte qe përmenden ne raport. Kështu zhvillimi i zgjedhjeve ne Shqipëri qe prej Qershorit 2009, krahasohet me standardet me te larta demokratike.
Kryeministri evidentoi po aq atë pike ne raport kur thuhet se nuk është paraqitur asnjë prove për manipulim te rezultatit te zgjedhjeve.
Sali Berisha: “Ajo çka është më kapitale thekson se nuk ka patur prova për numërim të parregullt apo manipulim të rezultateve. Këto zgjedhje nuk shfrytëzuan plotësisht potencialet e Shqipërisë për t’iu bashkuar standardeve më të larta për zgjedhjet demokratike. Standardet më të larta janë për t’u përcaktuar si objektiv, por duan dhe ato kohën për të arrit lartësinë maksimale. Lartësia maksimale arrihet nga një grup i vogël ç’është e vërteta vendesh. Raporti i OSBE-ODHIR-it karakterizohet nga një vërtetësi e madhe, nga një vlerësim objektiv. Ky është raporti më i mirë që është lëshuar për zgjedhjet në Shqipëri. Ky raport është i ngjashëm me raportet e vendeve të tjera në rajon dhe në Evropë”.
Raporti i OSBE-ODHIR bën një krahasim mes tre proceseve me te fundit zgjedhore ne Shqipëri, 2005, 2007 dhe 2009, por kryeministri ka sjelle ne vëmendje dhe raportin e fundit ndërkombëtar për zgjedhjet e vitit 2001. Asokohe Partia Demokratike ishte ne opozite.
Sali Berisha: “Po ju lexoj raportin e vitit 2001 çfarë thotë. Procesi zgjedhor ishte i tejzgjatur, konfliktual, i pasigurt dhe i fragmentuar. Megjithëse vlerësimi fillestar ishte më pozitiv pas raundit të parë të votimit procesi zgjedhor i tejzgjatur si dhe shkeljet e përsëritura dhe gjithnjë më serioze në raunde të tjera të zgjedhjeve, veçanërisht në zonën 60, bindën OSBE-ODHIR-in për nevojën e modifikimit të vlerësimit të tyre për këto zgjedhje në tërësi. Menjëherë pas përfundimit të procesit opozita paraqiti prova thelbësore rreth këtyre shkeljeve të OSBE-ODHIR-it. Në vitin 2005 raporti thekson se zgjedhjet përputhen vetëm pjesërisht, vetëm pjesërisht me angazhimet e OSBE-ODHIR-it”.
Publikimin e raportit përfundimtar mbi zgjedhjet kryeministri Sali Berisha e sheh si një rast te mire për rikthimin e opozitës ne kuvend. Për këtë qellim Berisha ftoi Ramën te lexoje me kujdes konkluzionet.
Sali Berisha: “Të heqë dorë nga skenarë virtualë, nga dhunime inekzistente, nga shpikje dhe trillime. Shpresoj se ky raport ta bindë zotin Rama se vendi i tij është në parlament, i deputetëve të tij, të partisë së tij. Ky është një vlerësim i merituar për qytetarët shqiptarë. Shqipëria zgjedhjet e lira e të ndershme, në të cilat çdo votë kushton. Ja pra çdo votë kushton në këto zgjedhje, çdo votë numërohet dhe s’ka asnjë tendencë për të manipuluar rezultatin e tyre, por vetëm për ta pranuar. Ky është raporti i parë që emetohet për këtë vend ku nuk shqipërohet dhe një herë të vetme fjala polici, apo shërbim i fshehtë. Jo, sepse ato kanë qenë në lartësinë e ligjit”.
Deklarimin e tij për median kryeministri Berisha e shfrytëzoi për te falënderuar shqiptaret për kontributin e tyre ne proces si dhe misionin ndërkombëtar për vlerësimin objektiv te zgjedhjeve.
Mirënjohjen, kryeministri Berisha e shoqëroi dhe me garancitë për përmbushje të të gjitha rekomandimeve te OSBE-ODHIR, te cilat siç theksoi do te adresojnë qarte ne programin e ri qeverisës./tvklan.al