Në një fjalim të ashpër kundër gjykatave italiane, kryeministri Silvio Berluskoni, tha se ato ia kanë kthyer jetën një kryqëzatë dhe se që kur ka nisur karrierën politike ka shpenzuar 174 milion euro për mbrojtjen e tij.
Në një konferencë të mbajtur në Romë Berluskoni ngriti kyçet e duarve a thua të ish i prangosur dhe tha:
Silvio Berluskoni: “A e dini si jam detyruar të kaloj mëngjesin e së shtunës që kur hyra në politikë? Me avokatët e mi duke përgatitur dokumentet për dy ose tre seanca gjyqësore, ku unë jam objekti i vëmendjes së atyre prokurorëve dhe gjykatësve të motivuar politikisht, të cilët janë dhe masa kancerogjene e demokracisë tonë”.
Në fakt senati aprovoi me 166 vota pro një paketë masash që do i lejojnë kavalierit të qeverisë me një grusht të hekurt.
Veç tre mijë ushtarëve që do të përdoren për të luftuar krimin apo edhe të drejtës për dëbimin e emigrantëve dhe burgosjen e tyre për katër vjet, 71-vjeçari nuk do të shqetësohet më për procesin gjyqësor kundër tij dhe akuzat për korrupsion e madje do të kursejë pak kohë të lirë të shtunave.
Procesi kundër Berluskonit ku akuzohet për korrupsion do të arkivohet si pasojë e një ligji të cilësuar me humor, si ligji shpëtoni kryeministrin që pezullon për një vit gjyqe të gjata jo serioze.
Nga ana tjetër ligjvënësit pro kavalierit po mundohen t’i japin jetë një tjetër ligji të cilësuar si jo kushtetues që i jep imunitet katër zyrtarëve më të lartë të shtetit, presidentit, kryeministrit dhe kryetarëve të dy dhomave të parlamentit./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle