Kryeministrit Hashim Thaçit po i pëlqen vendimi i Kryetarit të Shtërpcës Bratislav Nikoliq për largimin e strukturave paralele nga ky vend. Ai me një pjesë të ministrave të tij drekuan me kryetarin e ri të Shtërpcës në këtë kasolle në Brezovicë. Por përse erdhi të dielën kryeministri Thaçi në këtë komunë?

Hashim Thaçi: “Për të rikonfirmuar edhe një herë mbështetjen e fuqishme për projektet që janë në të mirën e të gjithë qytetarëve të Shtërpcës qoftë për rregullimin e rrugëve të reja”.

E kjo i pëlqeu kryetarit të ri, i cili ditë më parë mori një vendim të guximshëm. Ja mbylli derën në Kuvendin Komunal strukturave paralele, e tash kërkon ndihmë për zhvillimin e vendit të tij.

Bratislav Nikoliq: “Gjendja më primare është privatizimi i qendrës turistike. Kryeministrat dhe ministrat më dhanë përkrahje të madhe për këto projekte. Shtërpca do të jetë vend i gjithë komuniteteve”.

Gjatë këtij viti pritet të fillojë privatizimi i qendrës së skijimit. Kjo pritet të hapë perspektivë për këtë vend, e kjo duket të jetë strategjia e Nikoliqit për largimin e strukturave paralele një herë e përgjithmonë nga ky vend turistik./tvklan.al