Agjenda e kryeparlamentares, Jozefina Topalli, në Bullgari përfshinte çështjet e një rëndësie të veçantë referuar projekteve të përbashkëta në infrastrukturë, rritjes së investimeve bullgare në Shqipëri si dhe liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian.

Përsa i takon kësaj të fundit me kryeministrin bullgar, Sergei Stanishev, zonja Topalli ndau vizionin se diplomacia shqiptare do të jetë edhe më agresive për t’ia mbërritur këtij qëllimi.

Kryeparlamentarja nuk harroi të falënderojë shefin e qeverisë bullgare për votën pro anëtarësimit të Shqipërisë në NATO që ndryshe përkthehet siç dhe u shpreh në vlerësim për reformat.

Kryeministri bullgar konfirmoi qëndrimin e vendit të tij se stabiliteti i rajonit garantohet vetëm se vendet e Ballkanit janë pjesë e Bashkimit Evropian.

Vlerësime po aq pozitive mbi ecurinë e reformave në Shqipëri kryeparlamentarja mori dhe gjatë takimit me zv/kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Bullgarisë, Ivailo Kalfin.

Ivailo Kalfin: “Përgëzova kryetaren e kuvendit Topalli për ratifikimin e protokollit të NATO-s nga parlamenti bullgar. Mendoj se kjo është një arritje e vërtet për vendin. Mendoj se vendi juaj ka bërë një progres të jashtëzakonshëm vitet e fundit dhe ju me të vërtet e meritoni anëtarësimin”.

Jozefina Topalli: “Kjo vlen për shkak të meritës, të reformave dhe të progresit të jashtëzakonshëm që vendi ynë ka bërë dhe që në meritë të kësaj urojmë që në Prillin e ardhshëm në Strasburg të jemi anëtarë të plotë”.

Pjesë e agjendës ishte dhe takimi me zv/presidentin e Bullgarisë, Angel Marin. Pasi vlerësoi hapat e Shqipërisë në drejtim të reformave Marin u ndal dhe në një moment po aq të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe.

Shumë shpejt do të nënshkruhet një marrëveshje e përbashkët për hapjen e qendrave kulturore në Tiranë dhe Sofje që do t’i shërbejë lidhjeve tashmë tradicionale Shqipëri-Bullgari.

Në vizitën e saj zyrtare në Bullgari kryetarja e kuvendit shoqërohej dhe nga një grup biznesmenësh, anëtarë të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Takimi me përfaqësuesit e Dhomës Tregtare më të madhe bullgare vuri në dukje faktin e ekzistencës së 43 firmave shqiptare të regjistruara pranë kësaj dhome si dhe 17 firmave të përbashkëta.

Kryeparlamentarja tha se marrëdhëniet ekonomike duhet të forcohen po aq sa edhe ato politike, referuar edhe një fakti të rëndësishëm sipas të cilit Bullgaria renditet në vendin e parë në botë për investime të huaja.

Takimi me Dhomën e Tregtisë bullgare ishte i fundit në agjendën e ngjeshur në kuadër të vizitës zyrtare të kryetares së parlamentit që kulmoi me ratifikimin e protokollit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Kjo e çon në shtatë numrin e vendeve që i kanë dhënë okay-n Shqipërisë të jetë anëtare me të drejta të plota e aleancës më të madhe ushtarake në botë./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi