Pak orë larg anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe me hyrjen në fuqi të MSA-së, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli e ka cilësuar këtë ngjarje si sublime për historinë kombëtare, një ngjarje që e klasifikon Shqipërinë si vendi i progresit.
Gjatë takimeve me banorët e komunave Bushat, Dajç dhe Bërdicë të Shkodrës, Topalli vlerësoi 4 vitet e qeverisjes si vitet e një vrapi të paimagjinueshëm.
Jozefina Topalli: “Nuk ka ngjarje më të rëndësishme se të shohim vendin si një vend që ka progresuar, si një vend që pranohet, i hapen dyert, votohet, ratifikohet në të gjitha qeveritë, parlamentet dhe në senatet e botës, si për BE-në ashtu edhe për aleancën e veriut. Këto tre vite kanë qenë vite të një vrapi të pa imagjinuar.”
Gjatë vizitave të saj në këto komuna Topalli u ndal më së shumti në reformat që qeveria vazhdon të ndërmarrë në fusha të ndryshme. Për kryeparlamentaren fytyra e Shqipërisë ka ndryshuar nga maja më e lartë e veriut deri në pikën më të ulët të jugut.
Një ndryshim i madh ky sipas saj mes premtimeve të mbajtura të mazhorancës së djathtë dhe retorikës politike pa bukë të opozitës.
Jozefina Topalli: “S’ka gjë më të suksesshme në qeverisjen e kësaj periudhe sesa ulja e taksave, përgjysmimi i taksave dhe kalimi i taksave në një nivel 10% siç nuk e kanë pak vende të tjera. Ka një vend tjetër si Shqipëria që të ketë nivelin më të ulët të taksave? Nga ana tjetër çfarë ndodh, ndërkohë që jemi të rrethuar e përsëris nga stuhia më e vështirë e krizës ekonomike globale dhe vendi jonë vazhdon të ketë rritje ekonomike, bashkia e Tiranës e vetmja bashki vazhdon të rrisë taksat. Kjo është një papërgjegjshmëri e paimagjinueshme.”
Por Topalli ka premtuar se në mandatin e dytë të qeverisë Berisha shqiptarët do të mund të lëvizin pa viza./tvklan.al