Si rrallëherë kjo sallë e mbledhjeve të grupeve parlamentare mbushet kështu dhe të ftuarit e zonjës së parë të Kuvendit të Shqipërisë, janë mësuesit, pikërisht ata që me dijet e tyre kanë edukuar çdo brez nxënësish.

Në përkujtim të 7 Marsit, ditës së mësuesit, arsimtarëve të vjetër, atyre më të rinj kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u ka shprehur mirënjohjen për bujarinë dhe kujdesin e treguar me të gjithë nxënësit, pa lënë mënjanë edhe mësuesit e saj duke i cilësuar si të vetmit që i afrohen dashurisë prindërore. Një kujdes ky që për zonjën Topalli meriton një vëmendje nga shteti.

Jozefina Topalli: “Mësuesit në fakt janë udhërrëfyesit tanë drejt suksesit. Ju pasuroni personalitetin e gjithsecilit përmes njohurive, por kryesisht përmes dashurisë. Jam shumë e lumtur që në parlament kemi kaluar ligje, kemi përmirësuar, ndryshuar ligje dhe mbi të gjitha që në 4 vite kemi dyfishuar rrogat e arsimtarëve dhe do të vazhdojmë ti rrisim. Ashtu siç kemi dyfishuar investimet dhe do vazhdojmë që të rrisim  të gjithë këto investime edhe në të ardhmen.”

Në këtë takim mes rreth 200 mësuesish të njohur, zonja Topalli vlerësoi detyrën e lartë të mësuesit. Fjalën e saj kryetarja e parlamentit do ta përmbyllte me një fjali kuptimplotë:

Jozefina Topalli: “Çdo histori personale, suksesi nis me një mësues që të tregon vlera, që nxjerr në pah virtyte dhe të zgjeron mendimin.”/tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani