Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku, kërkon më shumë angazhim dhe profesionalizëm nga prokurorët e rrethit të Tiranës. Ai mori pjesë në analizën vjetore të këtij institucioni, i cili shqyrton rreth ¼ e çështjeve penale në shkallë kombëtare.

Gjatë vitit 2002, u regjistruan 2548 procedime penale, më shumë se gjysma e tyre, ka ardhur nga kallëzimet e bëra nga qytetarë, në strukturat e policisë së shtetit. 187 nga institucionet dhe entet publike. Ndërsa vetëm 7 procedime janë kallëzuar në bazë të kallëzimeve nga organet doganore. Përveç këtyre dosjeve janë hetuar edhe 851 të tilla të mbartura nga viti 2001.

Prokurori Sollaku i ka pasur parasysh vështirësitë në kushtet e punës, me të cilat përballen çdo ditë përfaqësuesit e akuzës së Tiranës. Megjithatë, ai kërkoi prej tyre, ruajtjen e etikës profesionale, duke zbatuar kërkesat e kodit të procedurës penale. Kryeprokurori kërkoi gjithashtu edhe një bashkëpunim më të madh me Avokatin e Shtetit, në mënyrë që për vepra penale që sjellin dëm ekonomik, për shtetin, të ngrihet padi civile, për autorët që kanë shkaktuar dëmin, për të mos pritur kërkesat e zyrtarëve.

Viti i ri gjyqësor, do të ketë përparësi, sipas Sollakut, në forcimin e bashkëpunimit me policinë, për luftën kundër krimit të organizuar ./tvklan.al