Kryeprokurorja Ina Rama ka deklaruar se viti 2007 ka shënuar progres në luftën kundër krimit të organizuar. Gjatë raportimit të saj të parë në parlamentin shqiptar, Rama prezantoi para deputetëve në mënyrë të detajuar punën e organit të akuzës për vitin që lamë pas, duke nënvizuar e janë goditur rreth 31 grupe kriminale të rëndësishme, si dhe ka pasur rezultate të dukshme në goditjen e trafikantëve të drogës.

Ina Rama: “Mund të themi se viti 2007 ka evidentuar progres të organit të akuzës në ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore. Në veprimtarinë e organit që unë drejtoj vihet re rritje e treguesve të volumit të punës, efektiviteti dhe ligjshmërisë në ndjekjen penale, ngritjen e akuzës në gjykatë në emër të shtetit, ekzekutimin e vendimeve penale dhe mbikëqyrjen e vuajtjes së dënimit si dhe në ushtrimin e funksioneve të tjera të ngarkuara me ligj. Jemi të vetëdijshëm se duhet të merren masa të tjera të domosdoshme për të garantuar rritjen e suksesit në luftën kundër krimit duke kërkuar mbështetje në komunikimin me ju dhe me struktura të tjera të shtetit.”

Shefja e akuzës evidentoi disa nga problemet me të cilat përballet prokuroria sot, duke kërkuar më shumë përkushtim nga vartësit e saj në përmbushjen në kohë të detyrave të hetimit. Ajo kërkoi dhe mbështetjen e legjislativit për rritjen e fondeve si dhe mbrojtjen e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrës.

Ina Rama: “Fenomeni i vendimit të pushimit të çështjeve penale në kushtet kur personat e hetuar gjendet nën masën e sigurimit, arrest me burg pavarësisht se prezantohet me të dhëna më të mira se vitet e mëparshme duhet të konsideruar si shqetësues. Për të minimizuar këto raste i është tërhequr vëmendja të gjithë prokurorëve në mënyrë të vazhdueshme që të bëjnë kujdesin maksimal kur të operojnë me vendosjen e një mase sigurimi personal ndaj shtetasve, veçanërisht me masën e sigurimit arrest me burg, në mënyrë që vendosja e kësaj mase të mos cenojnë padrejtësisht lirinë e shtetasve dhe të mos shndërrohet në një mjet shantazhimi ndaj tyre dhe abuzimi të organeve të drejtësisë.”

Kryeprokurorja Ina Rama, tha se po përdoret teknologji e avancuar për përgjimet të cilat janë mjete të domosdoshme për të hetuar korrupsionin, krimin ekonomik dh krimet e tjera të rënda. Gjatë seancës kryeprokurores i janë drejtuar pyetje të ndryshme ndërsa nga përfaqësuesit e opozitës është kërkuar që institucioni i akuzës të mos ndikohet nga politika në punën e tij./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama

Operator: Enver Shehu