Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku ka pezulluar këtë të hënë nga detyra prokuroren Rovena Gashi. Të njëjtin vendim, Kryeprokurorja e përkohshme mësohet se ka marrë edhe për bashkëshortin e Gashit, prokurorin Dritan Gina.

Në një njoftim zyrtar thuhet se pezullimi i tyre vjen për shkak se janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Durrësit, për akuzën e 

“Refuzimit për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, në formën e deklarimit të rremë”.

Ata do të jenë të pezulluar deri në përfundim të hetimeve. Aktualisht Gashi mbante detyrën e prokurores pranë Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë, ndërsa Gina atë të prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

10 ditë pasi u emërua Kryeprokurore e përkohshme, në Dhjetor të vitit të shkuar, Marku e shkarkoi nga detyra e drejtores së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, Rovena Gashin. Ndërsa rreth 2 javë më pas, i ndërpreu komandimin si prokuror i Prokurorisë së Elbasanit bashkëshortit të saj, Dritan Gina.

Këto lëvizje nuk u pritën mirë nga dyshja Gashi-Gina, të cilët e kallëzuan Kryeprokuroren, njëri në Gjykatën Administrative, ndërsa tjetri pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

/tvklan.al