Partia Socialiste ka shpallur sot pasdite fillimin e fushatës duke e përcaktuar kryesinë e saj si shtabin politik elektoral për fitoren në zgjedhjet lokale. Forumit më të lartë socialist i është paraqitur programi i veprimit për organizimin e fushatës elektorale nga sekretari i përgjithshëm Gramoz Ruçi ku parashikohen në detaje zhvillimi i mitingjeve nëpër rrethe ku elektorati do t’i shpjegojë arritjet dhe do t’i denoncohet korrupsioni i pushtetarëve lokalë demokratë.
Gjatë periudhës gusht- shtator, anëtarët e kryesisë, ministrat dhe deputetët socialistë, do ti drejtohen bazës. Në çdo prefekturë, një anëtar i kryesisë socialiste do të mbajë përgjegjësi për rezutatet e fushatës elektorale. Në mbledhjen e sotme e kryesisë socialiste është diskutuar gjithashtu mbi aleancat elektorale ku kryesisht do të preferohen kandidaturat e përbashkëta për kryetar komune apo bashkie me përfaqësues nga Partia Socialdemokrate.
Në fillim të mbledhjes së kryesisë socialiste, kryetari Nano ka vlerësuar anëtarësimin me të drejtat e plota të Shqipërisë në Organizatën Botërore të Tregtisë. Në mbledhjen e kryesisë socialiste, në mbështetje të shtabit elektoral do të ngrihen tre komisione. Ai për organizimin dhe formacionin e drejtuar nga Petro Koçi, komisioni për Mmarrëdhënien me publikun dhe median i kryesuar nga Luan Rami, komisioni për marrëdhëniet me të huaj i kryesuar nga Arta Dade, komisioni i problemeve financiare e kryesuar nga Rajmonda Stefa, ndërsa komisioni qendror për problemet juridike do të kryesohet nga Zamira Çaka.
Brenda javës së ardhshme Partia Socialiste do të përzgjedhë kandidatët për kryetar bashkie dhe komune në Tiranë dhe në rrethe të cilët në mjaft raste do të jenë përfaqësues nga qeveria civile./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame