Fshatrat Kala e Dodës, Sllavë dhe Muhur të rrethit të Dibrës kanë qenë ndalesa e radhës e kryetarit të Partisë Socialiste, pjesë e turit “Dialog me Shqipërinë”.
Bashkëbisedimi me banorët e zonës u fokusua pikërisht në zhvillimin rural dhe sektorin që përbën për ta mënyrën e vetme për të jetuar, bujqësinë.
Rama konstatoi me shqetësim gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen fshatrat në të gjithë vendin, për banorët e të cilëve mundësia e vetme për të mbijetuar duket të jetë emigrimi.
Edi Rama: “Ne duhet të ndërtojmë një shtet, i cili të jetë në krah njerëzve dhe t’jua lehtësojë mundimet duke filluar nga mundimet për të prodhuar ushqim. Ne kemi arrit që nuk prodhojmë dot ushqimin për njerëzit dhe diskutojmë ne arritje e suksese.”
Edhe në këto takime kryetari socialist, Edi Rama, ripërsëriti atë çfarë është shndërruar në refrenin e Dialogut me Shqipërinë, bashkimin pavarësisht flamujve partiake.
Edi Rama: “Për t’i dhënë jetë një politike të re, e cila duhet të hapi një kapitull të ri dhe të mbylli kapitullin e politikës së vjetër të premtimeve që kthehen në zhgënjime, të dështimeve që kthehen në arsye për të braktisur atdheun, të mungesës së perspektivës që është e mjaftueshme që shqiptarët e shqiptaret sot, veçanërisht ata që jetojnë në fshat, ta shikojnë arratisjen nga Shqipëria si të vetmen mënyrë për të mbijetuar”.
Rama tha gjithashtu se program i ri i Partisë Socialiste do të rendisë si prioritet bujqësinë dhe zhvillimin e zonave rurale./tvklan.al