Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ashpërson tonet ndaj kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij.

Gjatë një takimi të zhvilluar në Elbasan me pedagogë dhe mësues në kuadër të “Dialogut me Shqipërinë” duke u fokusuar në çështjet e arsimit kreu socialist e ka cilësuar zhvillimin e mësimit në klasa kolektive si një abuzim që ushqen braktisjen e shkollës nga fëmijët.

Edi Rama: “Dhe unë nuk besoj se ka ndonjë prind në Shqipëri që do të ëndërronte që fëmija i vet të bëhej Sali Berisha kur të rritej. Nuk ma ha mendja që të ketë ndonjë nënë në Shqipëri që kur del kryeministri i Shqipërisë në televizor t’i thotë fëmijës të keqen mami në vend të Zotit të bëhesh si ky xhaxhi.”

Duke u fokusuar në çështjet e arsimit kreu socialist e ka cilësuar zhvillimin e mësimit në klasa kolektive si një abuzim që ushqen braktisjen e shkollës nga fëmijët.

Edi Rama: “Kushtet kur kemi 175 klasa kolektive që do të thotë klasa ku në bankën e parë bëhet abetarja, në bankën e tretë bëhet gjeografia e klasës së tretë, në bankën e fundit të bëhet matematika e klasës së pestë. Injoranca është ulur këmbëkryq në çatinë e shkollës shqiptare dhe po bën kërdinë”.

Rama ka premtuar se në programin e ri të socialistëve do të përfshihet një strategji e detajuar për edukimin e brezit të ri./tvklan.al