Lajme Arkiva 2003
Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut Vangjel Dule, akuzon Partinë Socialiste për ngjarjet e Himarës.
Vangjel Dule: Ajo që ka ndodhur në Himarë i takon ta zbardhë plotësisht prokuroria dhe organet e drejtësisë. Ajo që nga ana politike dëshiroj të them është të ripërsëris, dënimin maksimal që i bënë këtyre incidenteve që të dielën në darkë dhe nga ana tjetër me të njëjtat tona të dënoj propagandën e Partisë Socialiste me fletushkat e “Zërit të Popullit”, të cilët përpiqen që aktet për të cilat ata mbajnë përgjegjësinë kryesore përpiqen t’ia faturojnë Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut si një hakmarrje primitive ndaj sfidës që nuk e fitua dot ndaj partisë sonë.
Gazetarja: Është e vërtetë që ju i keni kërcënuar komisionerët?
Vangjel Dule: As nuk më ka shkuar ndonjëherë në mend. Nuk është as në filozofinë, as në mentalitetin dhe as në kodin tonë të zgjedhjes. Ajo karakterizon të tjera forca politike dhe shikoni ata që rrahin gazetarët e kanë këtë mentalitet.
Për këtë çështje sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste Gramoz Ruçi kundërpërgjigjet.
Gramoz Ruçi: Sekretari i rinisë vorio-epiriote ishte menaxher i një dirigjenti që krijoi të gjithë ata precedentë të papajtueshme për një vend demokratik siç është edhe Greqia anëtarë e Bashkimit Evropian. Sigurisht ai ishte i mbështetur nga dy forca që konkurruan aty si aleate të PD-ja dhe PBDNJ-ja, do të dëshiroja dhe do të kërkoja edhe nga ju gazetarët që përfaqësues legjitim të Partisë Demokratike dhe përfaqësues legjitim të Partisë së të Drejtave të Njeriut të distancohen nga kjo ndryshe ata janë bashkautor në të gjithë ato incidente që ndodhën në Himarë.
Kryeministri Fatos Nano ka siguruar prokurorin e përgjithshëm Theodhori Sollaku për mbështetjen e qeverisë ndaj organit të akuzës në ushtrimin e ndjekjes penale për ngjarjet e Himarës./tvklan.al