Shqipëria U-17 fitoi minimalisht ndaj Ishujve Faroe, në ndeshjen e vlefshme për raundin e parë të grupit 3, në kualifikueset e Europianit të kësaj grupmoshe.
Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Egnatia Arena”, kuqezinjtë e drejtuar nga Andrea Tedesco, iu falën një goli të shënuar nga Gabriel Kulla, për të marrë fitoren.
Shqipëria e nisi mirë ndeshjen dhe dominoi në pjesën e parë, por pa mundur të gjente rrugën e rrjetës. Kuqezinjtë zhbllokuan rezultatin në minutën e 57-të me Kullën, i cili shënoi një supergol nga goditja e dënimit.
Një barazim, një humbje dhe një fitore, është bilanci i kuqezinjve të vegjël pas përfundimit të raundit të parë të kualifikueseve të Europianit U-17 “Shqipëri 2025“.
Finalet e Kampionatit Europian U-17 do të zhvillohen në Shqipëri në majin e vitit 2025, një ngjarje madhore që do të organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe UEFA. Kombëtarja shqiptare është e kualifikuar automatikisht në finalet e këtij kompeticioni si vend pritës. /tvklan.al