Pjesa e parë e “Opinion” këtë të Enjte i dedikohet ngjarjes së rëndë të ndodhur në Shënavlash të Durrësit, ku Esmerald Balla i mori jetën babait të tij 62 vjeçar. Si shkak deri më tani janë konfliktet për 75 milionë lekë të vjetra që ndodheshin në një kasafortë brenda shtëpisë.
Por ajo që mbetet ‘mister’ është kujt i përkisnin paratë, viktimës apo autorit?
Sipas gazetarit Merin Maçi, janë pikërisht deklarimet kontradiktore të 30 vjeçarit që ngritën dyshime te hetuesit. Fillimisht ai i kishte thënë policisë se çelësin e kasafortës e mbante babai i tij, e më pas kur u rimor në pyetje, dha një tjetër version. Përveçse nuk mbajti një linjë në rrëfimin e tij, Esmeraldi kishte lënë disa gjurmë krimi. Fillimisht te telefoni i tij…
Merin Maçi: Më datë 3 Shtator është rimarë në pyetje, ku hetuesit e kanë pyetur me bindjen se ai ishte autor i ngjarjes. Fillimisht nuk ka treguar, policia i ka kërkuar të hapë telefonin dhe në galerinë e fotove ku është opsioni i fotove që janë fshirë, por që telefoni i ruan për një kohë të caktuar. Ka gjetur disa screenshote, mes të cilave rezultonte edhe llogaria në Instagram përmes së cilës i kishte çuar vëllait të tij mesazh.
Një e dhënë që përforconte akoma më shumë dyshimet kishte të bënte me kamerat e sigurisë te shtëpia e familjes Balla.
Merin Maçi: Nga këqyrja e kamerave të sigurisë në banesë rezultonte se ato nuk punonin, por ishin hapur vetëm ditët e para të muajit Shtator. Gjithashtu ka fshirë të gjitha thirrjet telefonike që ka kryer para datës 14 Gusht.
Mësohet po ashtu se Enver Balla ka marrë dy goditje me armë zjarri, pas koke dhe në pjesën e shpinës.
/tvklan.al