Në një postim në rrjetet sociale Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka bërë të ditur se në QSUT është kryer një operacion delikat pas zbulimit të një sëmundjeje të rrallë tek një grua.
Bëhet fjalë për një të re nga Shkodra që pasi zbuluan se vuante nga aneurizmi i arteries së trurit, ekipi i neurokirurgjisë në QSUT ka kryer një operacion prej 4 orësh që ka përfunduar me sukses.
“Kur shpresa për jetën varej në një fije të hollë, një ndërhyrje e shkallës tepër të lartë të vështirësisë në shërbimin e neurokirurgjisë në QSUT, i ka shpëtuar jetën një vajze të re nga Shkodra. Gjithçka ndodhi brenda 12 orësh, nga fillimi i sëmundjes, ekzaminimet në spitalin rajonal të Shkodrës dhe në QSUT, ku mjekët zbuluan sëmundjen e rrallë e të rëndë, aneurizëm i arteries së trurit dhe kryen operacionin delikat prej më shumë se 4 orësh, i cili përfundoi me sukses, falë ekipit të talentuar të neurokirurgjisë, me prof.asc. Artur Xhumarin, dr. Gramoz Braçe, dr. Kliti Pilika. Me punën e palodhur në ekip të mjekëve dhe infermierëve të sallës operatore, reanimacionit dhe shërbimit të neurokirurgjisë, e reja nga Shkodra është gati të kthehet në shtëpi”, shkruan ministrja. /tvklan.al