Konflikti i Faries dhe Shpresës me të cilin u prezantuam më 12 mars 2021 në “Shihemi në Gjyq”  ka marrë fund. Ndërmjetësja Eni Çobani shpjegon në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan se me autorizimin e Faries, ka ndjekur procedurat ligjore për të fituar çështjen nga i afërmi i bashkëshortit të saj që i kishte marrë paratë borxh.

Këto para kanë nisur të shlyhen dhe t’i kthehen edhe Shpresës, shoqes së saj që Faria e mbetur në një moment vështirësie, ia kishte kërkuar. Por kjo e fundit, e trembur asokohe se nuk do t’i merrte, i kishte dhënë një dokument për të firmosur ku i merrte shtëpinë përmes dhurimit dhe Faria nuk e dinte.

Duke qenë se sot Shpresa po i merr paratë e saj, ka ardhur momenti që kontrata e dhurimit të prishet. Ajo ka mbetur ende në fuqi dhe tani nuk ka më asnjë pengesë që Faries t’i rikthehet shtëpia.

Eni Çobani: Shpresë e dashur, gjyqin ja ku e ke, urdhrin e ekzekutimit gjithashtu ta kam dërguar dhe e ke parë, paratë kanë filluar të merren dhe do të kalojnë në numrin tënd të llogarisë pa u ngatërruar me asnjërin nga ne. Atëherë, do të shkojmë së bashku me Farien në noteri për të kaluar dhurimin e kësaj banese në emër të zonjës Farie?

Shpresa: Unë jam shumë dakord vetëm që të mbarojmë… (bën shenjë me gishta për paratë).

Eni Çobani: Dhënien e parave! Të kuptoj!

Shpresa: Unë jam shumë e lumtur…

Eni Çobani: Je e lumtur, por akoma kontratën e ke në dorë.

Shpresa: Jam shumë e lumtur sepse njëherë atë shoqen që e kam pasur shoqe për motër, unë fillova duke e larguar. Tani do të afrohemi ku kemi qenë.

Eni Çobani: Do të bashkohesh o Farie!

Farie: Në këtë kohë u bashkuam ë?  Ekonomia na ndau, kjo na bashkoi! Ah medet! Ç’është puna e lekut!

Edhe pse reagimi i Faries nënkupton se nuk është ende gati për t’u pajtuar me shoqen, Shpresa pranon publikisht të prishë kontratën e dhurimit.

Shpresa: Kontratën unë ta jap, kur të duash ti shkojmë te noteri.

Eni Çobani: Faleminderit! Kjo është zgjidhja e vërtetë dhe unë doja ta merrja publikisht. Shpresa deri në momentet e fundit para se të hynte këtu, nuk e pranonte të jepte kontratën e dhurimit. Atëherë Shpresa, edhe njëherë, do të dalim sërish nga kjo sallë dhe do të shkojmë në zyrën time…

Shpresa: Pa diskutim!

Eni Çobani: Kontratën e dhurimit edhe njëherë, se po e thua publikisht dhe e kemi provë, do ta sjellësh?

Shpresa: Do ta sjell padiskutim.

Eni Çobani: Do të shkojmë të paraqitemi në noteri dhe ju do të kaloni me dhurim…

Shpresa: Ti the, ajo punë u bë!/

tvklan.al