Mëngjesin e kësaj të enjteje në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan të ftuarit folën sa i përket hapave që duhen ndjekur për fillimin e një biznesi. Duke renditur elementët që mund të të çojnë drejt rrugës së suksesit, Eglent Bici nuk la pa përmendur dhe anën e kundërt, gjërat që një person nuk duhet të mendojë apo të bëjë nëse do që të krijojë një biznes. Ndër to ai veçoi ndjesinë e të qenit shef. “Ne të gjithë si shqiptarë kemi qejf që të jemi shefa,” tha ai duke shtuar se jo çdo gjë është aq e lehtë sa duket.

Eglent Bici: Duhet të jesh i gatshëm që kur ta fillosh atë biznes dhe të dështosh. Që në krye të herës të jesh i gatshëm që çfarëdolloj investimi kohe etj, t’i humbasësh dhe pastaj fillon. Nëse nuk e ke këtë gatishmëri, mos e fillo. Nëse mendon se do të fillosh një biznes dhe pas një viti të ndjehesh e suksesshëm dhe do të rrish këmba mbi këmbë, e do të shkosh plazhet e Maldiveve e në Miami, ia ke futur kot. Nëse në punë je duke punuar 8 orë apo 9 orë, 5 ditë apo 6 ditë, nëse do të jesh në biznes do të punosh 20 orë në ditë të paktën dhe 7 ditë në javë dhe 365 ditë në vit. Nëse ti nuk punon në biznesin tënd, asnjë tjetër nuk ka për të punuar në biznesin tënd, kushdo që të jetë ai, çfarëdolloj pozicioni apo të drejtash t’i japësh, sepse ne si racë njerëzore kemi qejf të marrim të drejta dhe ne të gjithë si shqiptarë kemi qejf që të jemi shefa, drejtorë, përgjegjës, është një sëmundje e jona kjo mendoj un. Kjo do të thotë që marrim të drejtat, por nuk marrim detyrimet. Pra të plotësosh një nevojë që ka tregu dhe të respektosh detyrimet që merr përsipër, pra nëse ti nuk respekton detyrimet për një mijë e një arsye atëherë gjasat janë që ti të jesh i dështuar që në krye të herës.

Duke e dëgjuar me vëmendje, Katerina Trungu pati një replikë. Të duash të jesh shef sipas saj vjen si pasojë e përgatitjes së vetes për të mos qenë i nënshtruar apo i përçmuar.

Katerina Trungu: Interesante ajo pjesa që “kemi të gjithë qejf të jemi drejtorë”, por unë kam përshtypjen se kjo vjen si pasojë që t’i paraprish rrezikut që të mos jesh i nënshtruar dhe i përçmuar nga dikush nga ai që është drejtor. Sepse kështu ndodh që jo gjithmonë ky drejtori është i përgatitur, i trajnuar apo i mësuar me të gjitha vlerat që ne thamë pak më parë. Pra ka drejtorë shumica që janë jo kaq të trajnuar për të qenë kaq korrektë dhe për ta respektuar stafin që vjen në hallka, hierarki më poshtë. Rrjedhimisht ai që është më poshtë këtë eksperiencë e ka shumë të hidhur dhe më mirë është që të jem drejtor dhe unë.

Eglent Bici: Fillimi i biznesit nuk ka drejtor, nuk ka asnjë drejtor dhe vetë nuk duhet të jesh drejtor, por shërbëtor dhe të qenit në biznes do të thotë që je shërbyes, i shërben një qëllimi, objektivi apo një shërbimi që t’i japësh dikujt tjetër. Nëse e mendon veten si shef që në krye të herës gjasat janë që nuk ke për t’ia dalë. Nëse e mendon veten si shërbëtor e sigurt që do ia dalësh./tvklan.al