Sonila Meço: “Ne e kemi nisur transmetimin herët gjatë ditës së sotme që tek “E diela shqiptare”me Ardit Gjerbrenë dhe teksa transmetonim ekskluzivisht pamjet qe vinin nga Gjirokastra, i ftuar i Ardit Gjebereas krejt në mënyrë rastësore ishte gazetari Blendi Fevziu i cili komentonte ndërkohë. …Ti ishe në studio, e thash në mënyrë rastësore erdhi informacioni më i parë i shembjes së ndërtesës.”

Blendi Fevziu: “Isha në mënyrë rastësore jo, sepse ishte e planifikuar që 2 ditë më parë. Rastësore absolutisht me ngjarjen, madje u vonova pak për të më pritur në studio, kam mbërritur në limitet e fundit kohore për arsye të informacionit për atë që po ndodhte. Isha i informuar rreth 1 orë e gjysmë përpara se të mbërrija në studio dhe kisha marrë informacionet e para përmes disa burimeve në Gjirokastër, që janë kryesisht korrespondentë dhe gazetar të vjetër atje.”

Sonila Meço: “Kur patë pamjet ekskluzive që ne i sollëm së bashku për herë të parë në ekranet shqiptare të pallatit gjysmë të shembur, pjesa tjetër që tronditej dhe priste të shembej nga çasti në çast. Çfarë ju lindi në atë çast?”

Blendi Fevziu: “Pamjet ishin të tmerrshme, por besoj që edhe përpara tyre e kisha në sy se çarë duhet të kishte ndodhur. Për arsye se shembjet e godinave të tilla, pallateve të banimit janë të tmerrshme në çdo vend të botës kudo që kanë ndodhur. Pavarësisht nëse këto kanë ndodhur në vende të zhvilluara, në vende më pak të zhvilluara gjithmonë janë drama. Ndaj janë ngjarje dramatike dhe sjellin jo pak trauma për gjithë ata shikues që janë duke i ndjekur. Por në këtë rast pa dyshim që ishte dy herë më e dhimbshme sepse po e shihja në një kohë reale vetëm pak më parë kisha marrë informatat. Dhe ky vit ka qenë jo pak i ngarkuar me ngjarje të tilla, ngjarje që kanë lënë gjurmë tek ne. Kemi parasysh që aktualisht tek ne një nënë dhe vajzë 12-vjeçare ndodhen nën rrënoja, ndoshta pa jetë tashmë. Një vajzë nuk do të shkojë nesër në shkollë më dhe e gjitha kjo për arsye të një sistemi të vazhdueshëm, shumë herë të paralajmëruar të pa përgjegjshmërisë së instancave të caktuara të pushtetit.”

Sonila Meço: “Ju e cilësuat të sotmen një kronikë e një ngjarje të paralajmëruar?”

Blendi Fevziu: “Absolutisht një kronikë e një ngjarje të paralajmëruar. Jo vetëm rastin konkret sepse është paralajmëruar shumë kohë më parë. Është paralajmëruar në kronikat televizive të televizionit Klan, më thanë sot madje që ju e keni edhe kronikën me të cilën bën fjalë. Është paralajmëruar në të gjitha ankimimet e qytetarëve që janë shprehur kundër kësaj. Është paralajmëruar nga 3 drejtuesit teknik të bashkisë së Gjirokastrës , që sipas informacionit tim kanë  votuar kundër, pra janë shprehur kundër ndërtimit të një pallati të tillë. Një pallat që pastaj është vendosur me lejen e grupit tjetër kryesuar nga kryetari i bashkisë. Pra dhe drejtuesi teknik ka qenë kundër, më shumë sesa kaq nuk mund të paralajmërohet një tragjedi. Pa dyshim që Shqipëria është e mbushur me ngjarje të tilla të cilat nga momenti në moment mund të shtohen me detaje, të cilat nga momenti në moment mund të shndërrohen në tragjedi.”

Sonila Meço: “Sa tragjedi duhet të ndodhin Blendi që të reagohet, ne e kuptojmë madhësinë e asaj që bëhet vetëm kur ndodh tragjedia?”

Blendi Fevziu: “Nuk mund të presësh gjithmonë që të ndodhi një tragjedi. Problemi është kur them Shqipëria është e mbushur, ju thash edhe pak më parë. Në të gjitha ankesat që vijnë përmes e-mailit, sms, telefonave në redaksinë e Opinionit, jam i sigurt edhe në redaksinë e lajmeve dhe në çdo redaksi tjetër televizive. Të gjitha gazetat janë të mbushura me njerëz që ankohen për ndërtime abuzive, ndërtime me apo pa leje  që ju zënë pallatet, ju zënë dritën, ju zënë hyrjen, ose i kërcënojnë madje edhe ekzistencën e tyre siç ka ndodhur në këtë rast konkret. Ka me dhjetëra abuzime në Shqipëri që shtrihen sot kudo dhe nuk është ky problemi i madh, nuk është vetëm se pse këto abuzime ndodhin, por gati është shndërruar në një filozofi sunduese, që një njeri që ndërton pa leje, një njeri që zapton, një njeri që abuzon me ligjin nuk konsiderohet kundërvajtës i ligjit, por përkundrazi konsiderohet një njeri i zoti që arrin t’ia hedhë shtetit. Pavarësisht se këtë shtet ai e komprometon përmes pagesave nën dorë apo thjesht shfrytëzon pa fuqishmërinë ose neglizhencën e shtetit.”

Sonila Meço: “Këtu fillon dhe mbaron përgjegjësia?”

Blendi Fevziu: “Jo nuk fillon dhe mbaron këtu. Ka dy lloje përgjegjësish, për të cilat padyshim shteti shqiptar ose pushteti në përgjegjësi duhet të përgjigjet. Ka dy lloje shkeljesh në këtë drejtim e para janë ndërtimet pa leje që padyshim janë kundravajtje e hapur ligjore dhe duhet të kontrollohen, por është e pamundur të kontrollohen. Ne jemi dëshmitar që jo vetëm që nuk po kontrollohen, por po shtohen. E dyta dhe më abuzivja dhe më e tmerrshmja është në ato raste kur ndërtimet janë me leje, por leja është dhënë në kundërshtim me ligjin, pra ka një ligj të urbanistikës, një ligj që përcakton se ku duhet të ndërtohet, por ka plot kryetar bashkisë që në mënyrë abuzive nuk pyesin për respektimin e këtij ligji që duhet të zbatojnë, përkundrazi japin leje abuzive….”/tvklan.al