Valbona Dajlani dhe vajza e saj 12-vjeçare Anxhela gjenden akoma nën rrënojat e pallatit të shembur në Gjirokastër. Shpresat për nxjerrjen e tyre gjallë nga gërmadhat po veniten me kalimin e orëve.

Në operacionin e kërkim-shpëtimit te nisur pak pas rrëzimit të pallatit në mesditë, janë mobilizuar edhe trupa të ushtrisë, policisë, forcat RENEA dhe forca greke të emergjencës të mbërritura  nga Janina.

Pallati 5-katësh në hyrje të qytetit, në  lagjen “11 Janari”, u shemb papritur rreth orës 11 e 55 minuta, ndërsa në të gjendeshin banorët e 13 familjeve.

Kaosi dhe paniku ka mbizotëruar për disa orë me radhë, me banorët që kërkonin të afërmit e tyre, qytetarë të shokuar dhe forca të policisë e ushtrisë që u vunë në kërkim të të mbijetuarve.

Qytetare: “Zjarrfikësja thash unë, dolëm të shikojmë ne, kishte rënë pallati. E kam nga fshati im atë që është aty, e kam nga fshati. E me gjithë vajzën, gjynah.”

Qytetar: “Çfarë të bëjmë tani se kështu e ka, duhen lexuar … kush e ka bërë fatin e njeriut në kohët e sotme. Jo vetëm jam kam shokët, faleminderit kurajo po bëjmë.”
 

Flitet se gjithçka ka ndodhur si pasojë e punimeve që po kryheshin në themelet e pallatit për ngritjen e një ndërtese të re. Ndonëse në këtë zonë nuk duhej ndërtuar e ndonëse banorët kishin dhënë prej vitesh alarmin për rrezikun e rrëshqitjes së tokës, siç tregojnë edhe këto intervista të marra nga televizioni Klan në prill të vitit 2001.

Qytetare: “Po trembemi që të jetojmë në këto shtëpi këtu se nesër mund të na zej fëmijët do kemi pasoja më të mëdha.”

Por këto paralajmërime nuk mjaftuan dhe ndoshta duhej të ndodhte kjo ngjarje për të kuptuar atë çka rrezikohej në të vërtetë.

Në Gjirokastër ka mbërritur rreth orës 14:00 edhe kryeministri Berisha, i cili ka kërkuar një hetim të plotë për të nxjerrë përgjegjësit e tragjedisë.

Sali Berisha: “Problemi kryesor është problemi i personave që mund të jenë  nën rrënoja dhe që sipas të gjithë ekspertëve këtu, ndërhyrje e mëtejshme nën rrënoja përbën një rrezikshmëri jashtëzakonisht të madhe, për shkak të pallatit që qëndron i gatshëm për t’u shembur. Ndaj dhe po bëhet një vlerësim përfundimtari i cili … sigurisht që do ketë një hetim të plotë të shumë-anshëm për të nxjerrë në këtë rast çdo përgjegjësi, për këtë ngjarje shumë të rëndë.”

Vënien para drejtësisë të përgjegjësve e ka kërkuar edhe kryetari i PS-së Edi Rama, i cili mbërriti në vendin e ngjarjes në mbrëmje, pasi ndërpreu takimet e turit “Dialogu me Shqipërinë”.

Edi Rama: “Një rast që duhet hetuar deri në fund pa u ndalur dhe që duhet zbardhur për të nxjerrë fajtorët dhe për të bërë që të mos përsëritet më.”

Pasdite në Gjirokastër ishte edhe ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, e cila i ka siguruar të plagosurit se do të kenë gatishmërinë e plotë të mjekëve.

Ajo së bashku me një ekip mjekesh nga Tirana sollën medikamente dhe gjak për të plagosurit, të cilët për fatin e mirë i shpëtuan për mrekulli kësaj tragjedie dhe përsa i përket hetimit, prokuroria ka ngritur një grup pune, i cila do të hetojë mënyrën e dhënies së lejes së ndërtimit dhe zbatimin e sigurisë teknike nga firma zbatuese e punimeve.

Policia ka shoqëruar për shpjegime më shumë se 12 persona, ndërsa pak orë pas shembjes uniformat blu kanë ndaluar njërin prej drejtuesve të firmës teksa po  tentonte të largohej drejt Greqisë, nëpërmjet pikës kufitare të Kakavijës./tvklan.al