Mjekja e njohur psikiatre Arjana Rreli është shpesh e ftuar në studiot televizive për të folur për temat e shëndetit mendor, por për herë të parë biseda me të kapërcen dimensionin profesional.
Në programin “Rudina” në Tv Klan ajo rrëfen për jetën përtej personazhit publik që ne shohim, por fillimisht ndalet te zgjedhja e profesionit që e do aq shumë. Në të vërtetë, nisur nga pasioni për vizatimin teknik mendonte të bëhej arkitekte, por babai i saj vuri re diçka tjetër. E bija kishte veçori që ai shihte se do ta bënin një mjeke të mirë dhe ajo ia plotësoi dëshirën.
Problemi ishte specializimi. Arjana zgjodhi mjekësinë për shkak të dëshirës së të atit, por psikiatria ishte një vendim tërësisht i saji, një thirrje që e vendosi para kundërshtimit të familjes.
Arjana Rreli: Jam drejtuar te kjo nga im atë i cili shikonte sa bukur qëndisja unë, shikonte sa shpirt të brishtë kisha, se sa i doja shokët, shoqet dhe kafshët, nisur ai edhe nga fakti që në familjen e tij kishte më shumë inxhinierë dhe asnjë mjek në fakt, tha “ti po, ti do të bëhesh një mjeke shumë e mirë”, e pastaj për psikiatrinë nuk e pyeta fare të them të drejtën.
Rudina Magjistari: Si ndodhi se është interesant edhe fakti që vetë ke zgjedhur psikiatrinë, pse e zgjodhe?
Arjana Rreli: Psikiatria është thirrje. Në bisedën me znj. Helena Kadare, shumë shpesh edhe ajo ma ka pyetur këtë gjë, “si ka mundësi që ti i shkove pikërisht psikiatrisë në një kohë që psiskiatria nuk ishte për femra jo e jo, por nuk ishte te degët e zgjedhura?” Sepse ashtu si një prift që nuk mund të bëhet dot prift pa pasur një gjendje, një thirrje, një gjetje brenda vetes, ashtu është të gjesh brenda teje atë lloj ndjenje për të ndihmuar subjekte që janë shumë vulnerabël dhe që normalisht kanë shpirtin që do të ta besojnë ty si mjeke për të përmirësuar atë çfarë ata nuk bëjnë dot.
Mjekja kujton edhe bisedat me të atin për idetë që i jepte ai në specializimin e mjekësisë, por ajo s’u tërhoq nga e saja dhe nuk është penduar për këtë zgjedhje.
Arjana Rreli: Familja ishte totalisht kundër, askush nuk donte, askush s’më përkrahu. Po babi atëherë tha “për mjekësinë ma plotësove dëshirën, po për psikiatrinë? Po sikur të bëhesh kirugrge Arjana, e di sa mirë, kirurge? Ti qëndis shumë bukur, po dermatologe?”, jo unë do të bëhem psikiatre. “Po pse, çfarë problemi ke ti, hajde ta zgjidhim bashkë”. O ba. nuk është problemi që unë do të hyj në psikiatri për të zgjidhur problemet e mia, thjesht kjo gjëja më pëlqen dhe pikë, isha kundër rrymës atëherë vërtet por që nuk jam penduar kurrë për zgjedhjen që kam bërë. Kurrë./tvklan.al