E diplomuar për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare, Marjana Koçeku la Evropën për t’u rikthyer në Dukagjin. Në vendin ku është lindur dhe rritur, në kullën e babait të saj të trashëguar për breza me radhë.

Sot e quajtur si ‘neomalësore’, Marjana Koçeku vjen me një rrëfim ndryshe në studion e “Rudina” në Tv Klan ku flet për pasionin e saj për turizmin dhe jetesën në fshat, në një vend të izoluar i cili aksesohet vetëm me varkë.

Rudina Magjistari: Marjana ti ke një agroturizmën në Dukagjin dhe që i ke vënë pikërisht emrin “Neomalësore agroturizëm” apo jo?

Marjana Koçeku: Unë jam diplomuar për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Kam studiuar në Tiranë dhe kam bërë një vit “erasmus” në Itali. Unë jam rritur në atë fshat, në qendër të Komanit në Dukagjin, pasi kam kryer studimet në Itali kam pasur një lidhje shumë të fortë shpirtërore që familja ime e ka mbajtur dhe e ka ujitur edhe tek unë, jo vetëm me tradita, por edhe me punën që kemi bërë me turizëm. Kështu që turizmi ka qenë një urë e fortë mes meje dhe kthimit tim në fshat.

Rudina Magjistari: Ti je kthyer në fshat dhe ke investuar, do që t’i japësh jetë këtij agroturizmi që ke ndërtuar aty. Duhet thënë se është një vend shumë interesant edhe për të ardhur nga ana tjetër sepse mesa di unë duhet të bësh një udhëtim me varkë prej 70 minutash për të mbërritur në “neomalësore agroturizëm” apo jo?

Marjana Koçeku: Kjo e bën edhe më të veçantë pasi është i aksesueshëm vetëm me varkë dhe është kulla e babit tim, kur unë jam rritur. Dikur, kur s’ka qenë liqeni e them me bindje se ka qenë një prej zonave më të izoluara, kurse tani fakti që nuk ka rrugë për makina dhe aksesohet vetëm me varkë mund të them që është një prej zonave më të izoluara të Ballkanit. Zonat e izoluara pavarësisht se kanë pasur sfida shumë të mëdha për të mbijetuar, siç ka qenë e vështirë për malësorët e Dukagjinit dhe jo vetëm kanë ruajtur dhe traditën apo identitetin e tyre akoma më fort. E them me krenari se është një nga zonat që nuk është pushtuar kurrë kemi ruajtur fenë, dialektin dhe folklorin.

Marjana është e përkushtuar për të ruajtur dhe promovuar vlerat malësore në një botë që po
ndryshon me shpejtësi. Ajo sjell një përzierje të pasionit për trashëgiminë kulturore dhe një vizion modern për të ardhmen, duke frymëzuar brezat e rinj të qëndrojnë të lidhur me rrënjët e
tyre./tvklan.al