La Liga spanjolle mund të rinisë më 11 Qershor. Lajmin e dha drejtuesi i saj, Javier Tebas, i cili u shpreh se ndeshja e parë që mund të ristartojë kampionatin është ajo mes Real Betis dhe Sevilla-s.

“Shpresoj që derbi i Sevilla-s të jetë një nderim për të gjithë personat që kanë humbur jetën”, tha Tebas.

Ai paralajmëroi ndër të tjera futbollistët që të kenë kujdes me veprimet e tyre. Kjo deklaratë vjen pasi katër lojtarë të Sevilla-s kërkuan falje sepse thyen rregullat e distancës sociale.

Ever Banega, Lucas Ocampos, Franco Vazquez dhe Luuk de Jong u fotografuan mes 12 njerëzve në një festë gjatë fundjavës.

Spanja i ka lehtësuar rregullat e karantinës, por mbledhjet me më shumë se 10 persona nuk lejohen akoma.

“Lojtarët janë shembull i shoqërisë. U kërkoj futbollistëve që të mos veprojnë në këtë mënyrë. Duhet të bëjmë kujdes pasi punët e shumë njerëzve janë në rrezik”, tha Tebas./tvklan.al