Pasi më herët e vlerësoi për plazhet spektakolare këtë herë revista argjentinase e vlerëson Shqipërinë si një destinacion të lirë dhe miqësor me buxhetin e shumë udhëtarëve të huaj.
Sipas kësaj media shumë argjentinas dhe jo vetëm dëshirojnë të pushojnë në Evropë por shpeshherë kostot e larta bëhen një pengesë për ta.
Pagesat për bileta, akomodim, ushqim dhe transport në destinacione tradicionale si Parisi, Roma apo Barcelona janë të larta dhe shumë herë të papërballueshme. Megjithatë Shqipëria është destinacioni ideal, i cili ndodhet vetëm disa orë larg me avion nga Spanja dhe ka kosto të ulëta .
Vendi ynë sipas revistës së njohur nuk është vetëm një destinacion i mirë për të pushuar por edhe jetuar.
Me një gamë të gjerë akomodimesh të përballueshme në platforma të tilla si, “Booking” dhe “Airbnb”, vizitorët mund të gjejnë opsione që i përshtaten nevojave dhe buxhetit të tyre.
Përveç kostove të ulëta Shqipëria ka një natyrë të bukur dhe të egër. Revista rendit 5 atraksionet kryesore turistike që nuk duhen humbur në vendin tonë.
Me plazhet e pastra kristal dhe qytetet piktoreske bregdetare, Riviera Shqiptare është një parajsë për adhuruesit e diellit dhe plazhit. Vijon me Gjirokastra dhe Berati, dy qytete të cilat janë vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, të njohura për arkitekturën e tyre osmane të ruajtur mirë dhe kështjellat mbresëlënëse. Liqeni i Ohrit është një tjetër pikë e rëndësishme turistike.
Ky liqen është një nga më të vjetërit në Evropë, i famshëm për bukurinë e tij natyrore dhe biodiversitetin e pasur. Një qytet vazhdimisht në zhvillim, Tirana ofron një ndërthurje unike të historisë, artit urban, gastronomisë dhe jetës së natës.
Së fundmi një pikë turistike që është ideale për adhuruesit e ecjes dhe natyrës, është parku kombëtar i Thethit që ofron peizazhe mahnitëse.
Klan News