“Turizmi në Tiranë: një suprizë e madhe përtej Adriatikut”, kështu e titullon shkrimin e saj media ialiane meteo-xhornale. Kryeqyteti i Shqipërisë po vendoset si një nga destinacionet turistike më magjepsëse në skenën evropiane.
Qyteti përfaqëson një ekuilibër të përsosur midis traditës dhe inovacionit. Gjatë dimrit me temperatura që variojnë ndërmjet 5 dhe 12°C, Tirana mirëpret vizitorët me një skenë të gjallë kulturore, jetë të përditshme dinamike dhe trashëgimi të pasur historike.
Kjo media shkruan se sheshi Skënderbej është një pikë referimi ikonë, e rrethuar nga ndërtesa me ngjyra pastel dhe monumente historike. Në zonën përreth ndodhen Kulla e Sahatit dhe Xhamia e Et’hem Beut, dëshmi e harmonisë kulturore dhe fetare që karakterizon kryeqytetin.
Ndërtesat që datojnë në periudhën komuniste, me madhështinë dhe gjeometritë e tyre rigoroze, tregojnë për një epokë në të cilën Shqipëria jetonte e izoluar nga bota. Sot, këto arkitektura bashkëjetojnë me murale të gjalla, galeri arti bashkëkohor duke e shndërruar qytetin në një mozaik urban gjithnjë në zhvillim.
Media italiane flet edhe për jetën e natës në zonën e ish-Bllokut. Mes lokaleve të modës, restoranteve dhe butikëve elegantë, rrugët e saj pulsojnë plot energji deri në orët e vona të natës.
Për ata që kërkojnë një pushim nga gjallëria e qytetit, Liqeni Artificial i Tiranës ofron një strehë qetësie. Kjo hapësirë e gjelbër është e përkryer për shëtitje relaksuese, piknik dhe momente soditjeje të zhytura në natyrë.
Dashamirët e aventurës mund të shkojnë drejt malit të Dajtit, lehtësisht i arritshëm nga qyteti. Ky destinacion ofron mundësi për ecje piktoreske duke ofruar pamje mahnitëse të peizazheve përreth.
“Midis kulturës, natyrës dhe argëtimit, një udhëtim në Tiranë ju mundëson të zbuloni shpirtin autentik të Ballkanit”, mbyll shkrimin e saj www.meteogiornale.it.
Klan News