Partia Bashkimi Liberal Shqiptar qartësoi sot pozicionin e saj brenda koalicionit Bashkimi për Fitore. Kryetari Teodor Laço sqaroi përse kjo parti mbështeti në Kuvend kandidaturën e zotit Robert Çeku si kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Teodor Laço: “Për mendimin tonë kandidatura, e pëlqyer me kohë dhe e propozuar prej tij, pra prej Presidentit, i plotësonte të gjitha kriteret për t’u pranuar nga i gjithë spektri politik. Ai i përkiste një opozite konsekuente dhe, jo vetëm nuk kishte shfaqur ndonje lëkundje gjatë votimeve të rëndësishme në Kuvend, por kishte qenë një nga oponentët kryesorë me argumente profesionalë dhe alternativa për shumë nga ligjet ekonomike të qeverisë.”
E ndërsa lidhur me aleancën me Partinë Demokratike Laço tha:
Teodor Laço: “Sa për të ardhmen, sot ne nuk mund të themi asgjë. Në politikë mund të jenë të mundshme lëvizje të befasishme që nga rindërtimi i një koalicionit të gjerë opozitar që i përket Partisë Demokratike ta bëjë dhe që do t’u jepte zgjedhjeve të ardhshme vulën e sigurisë deri te dalja në zgjedhje më vete në të gjitha zonat elektorale.” /tvklan.al