“Palët duhet të jenë të gatshme për kompromis”
25 takime ka zhvilluar brenda 3 ditëve sa ka qëndruar në Kosovë emisari special i BE-së për dialogun Miroslav Lajcak. Ai në konferencën që e mbajti në përmbyllje të vizitës së tij në Kosovë ka thënë qartë se nuk do të ketë marrëveshje gjithpërfshirëse nëse nuk zbatohet marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.
“Nëse nuk ka marrëveshje nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve dhe nuk do të ketë marrëveshje pa Asociacionin. Kosova e ka marrë përsipër zotimin, e ka nënshkruar. Asocicioni është pjesë e procesit të dialogut, ne nuk duam ta rihapim këtë temë por vetëm të implementohet ajo që është nënshkruar”, tha Lajçak.
Për arritjen e marrëveshjes gjithpërfshirëse i ka ftuar të dyja palët që të jenë të gatshme për kompromise.
“Dialogu bëhet për të diskutuar çështjet e mbetura me Beogradin. Duhet të përmbyllen çështjet e hapura, por duhet të jetë e qartë se çdo marrëveshje duhet të dalë si rezultat i kompromisit. I ftoj bashkëbiseduesit të jenë të gatshëm për kompromis. Në të gjitha takimet partnerët e mi konfirmuan se Kosova do t’i përmbush zotimet përfshirë edhe Asociacionin”, shtoi ai.
Pala serbe ka kërkuar që çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të rikthehet në tavolinën e bisedimeve por ka hasur në kundërshti të fortë nga pala kosovare.
Krerët e institucioneve pas takimeve të ndara me Lajçakun në dy ditët e kaluara kanë thënë njëzëri se kjo cështje nuk do të ridiskutohet ndërsa kanë përmendur faktin se me marrëveshjet e mëparshme Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Lajcak pas Prishtinës ka udhëtuar për në Beograd.
Tv Klan