Kryeinspektorja e Inspektoriatit të Lartë për Kontrollin e Pasurisë zonja Fatmira Laska ka deklaruar për Televizionin Klan se nuk ka nisur akoma verifikimi i vërtetësisë së deklaratës së kryeministrit Nano për “Mercedesin” që ai gjatë deklarimit të pasurisë së tij ka pohuar se i është dhuruar nga pronari i distributorit të “Mercedesit” në Shqipëri, pohim i hedhur poshtë nga ky i fundit.
Fatmira Laska: “Personi në fjalë, që bën kontestime në media, tashmë që ekziston një institucion i ngritur, është i detyruar moralisht dhe ligjërisht këtë dokument zyrtar, ta sjellë para nesh, që në gjithë aspektin e punës tonë, të bëjmë një krahasim dhe të bëjmë një raportim dhe të kemi një objekt hetimi të mirëfilltë ndaj këtij objekti dhe këtij subjekti, pra ndaj kësaj prone nëse legjitmohet ose jo.”
Laska megjithatë pohon se menjëherë pas përfundimit të deklarimit të pasurive nga të gjithë politikanët ka nisur porcesi i verifikimit të tyre, proces i cili po vazhdon.
Fatmira Laska: “Nuk mund të themi se një verfikim i filluar mbaroi menjëherë sot apo nesër. Çdo moment të verifikimit nuk mund të bëhet publik. Ne transparencën e realizuam nëpërmjet detyrimit ligjor deri tani me publikimin e deklaratës.”
Këtë deklaratë për Televizionin Klan kryeinspektorja Laska e ka, e ka bërë vetëm një ditë pasi është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku u trajnua për dy javë së bashku me një pjesë të stafit të saj. Laska u nis për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës menjëherë sapo përfundoi procesi i deklarimit të pasurive nga të gjithë politikanët. /tvklan.al