Pamje të reja të kthimit të 11- vjeçarit në shtëpi

Sapo ka zbritur nga avioni që e solli nga Bejruti në Itali, Alvin Berisha takon pas 5 vjetësh dy motrat e tij.

Emisioni Le Iene, që e bëri publik rastin e tij, nga ku nisi edhe operacioni mes autoriteteve italiane e shqiptare për ta shpëtuar nga kampi i Al Holit, ka publikuar pamje ekskluzive të rrugëtimit të tij nga Siria, në Damask e më pas në Bejrut.

Është filmuar edhe në ditët e para të mbërritjes në Al Hol, i plagosur nga një shpërthim që i mori jetën nënës së tij që e dërgoi në Siri.

Ndërsa operacioni po zhvillohej, ai i rrëfen në arabisht një punonjëse të kryqit të kuq se si e kalon ditën duke pritur. Shoqërohet me fëmijë të tjerë nga Iraku e Siria.

Pas daljes nga kampi dërgohet në një hotel në Damask. Veprimet e tij tregojnë se si ka jetuar në këto kohë në kamp, nën kursimin e ujit që në Al Hol është me pakicë, rubinetin e të cilit e mbyll pas cdo veprimi. 

Të nesërmen, pasqyrohen takimet me ambasadorin italian dhe delegacionin shqiptar të kryesuar nga ministri Sandër Lleshaj. Më pas në shtëpi, në familjen që e priste me padurim, për të nisur një jetë të re, plot ëndrra, si cdo fëmijë i moshës së tij./tvklan.al