Ashtu siç ishte parashikuar ne kalendarin e legalizimeve, ALUIZNI ka nisur shpërndarjen e certifikatave të pronësisë në Qarkun e Vlorës. Në ditën e parë me tapitë e ndërtimeve në zonat informale apo shtesat pa leje, janë pajisur 170 shtetas.
“Sapo morët certifikatën, si ndiheni?”
“Është një kënaqësie madhe, u bëmë tamam pronar. Qeveria demokratike e mbajti premtimin dhe do e mbajë, hallall ja bëftë zoti.”
“Shumë e lumtur ndjehem për certifikatën që morëm, të pronësisë. Tani e dimë që u bë prona jonë.”
Kreu i ALUZNI –t, Shaban Memia tha gjithashtu se qytetarët që do t’i shlyejnë në kohë detyrimet financiare do të ketë një ulje prej 20 për qind të shumës, ndërkohë që ALUIZN-I u ofron aplikantëve mundësinë e marrjes së kredisë me interes zero.
Shaban Memia: “Jemi në fazën konkretizuese me një kompani, e cila na ofron kredi të buta dhe besoj brenda javës që vjen do të konkretizohet në të gjitha qarqet, kontratat e kreditimit dhe në rastet kur kreditohet, në këto raste përfiton qytetari bonusit dhe praktikisht kredia i del pa interes.”
Duke e vlerësuar këtë proces si mjaft të rëndësishëm Memia u ka bërë thirrje qytetarëve që të shlyejnë sa më shpejt detyrimet financiare, në mënyrë që t’i jepet mundësi kësaj agjencie të kryejë në kohë kompensimin e ish-pronarëve.
Shaban Memia: “Nuk mund të bëhet asnjë hap në procedurat e ligjërimit të pasurive pa sinkronizuar procesin e kompensimit të pronave. Të nxitojnë për shlyerjen e detyrimit financiare në përputhje me dispozitat ligjore, në përputhje me rregullat e ekonomisë së tregut.”
Sipas kalendarit të bërë publik nga ALUIZNI, brenda këtij muaji do te vazhdojë shpërndaja e certifikatave të pronësisë ne 13 qytete kryesore duke nisur nga Lezha deri në Sarandë./tvklan.al