Siç ishte parashikuar në kalendar, Agjencia e Legalizimeve ka shpërndarë certifikatat e pronësisë edhe në Korçë e Pogradec.
150 pronarë janë pajisur me tapitë e ndërtimeve deri më tani të paligjshme. Kreu i ALUIZNI-t, Shaban Memia, u shpreh se me nxjerrjen nga informaliteti të ndërtimeve të kësaj kategorie në të gjithë vendin, qeveria përmbush një prej reformave kyçe në sektorin e pronësisë.
Shaban Memia: “Ne në përmes këtij procesi sjellim stabilitet të plotë në të drejtën e pronësisë duke rregulluar raportet e pronësisë. Nuk mbetet thjesht një proces që i jep disa dokumente që ligjërojnë pasurinë, por pjesë e reformës është edhe e gjithë procedura e regjistrimit të këtyre pasurive, çla do të thotë që duke e mbyllur ciklin qytetari objektin e tij ose pasurinë e tij së bashku me parcelën ndërtimore i bëhet menjëherë pjesë e tregut”.
Ministri i Financave, Ridvan Bode, bëri edhe një herë thirrje që qytetarët të përfitojnë nga procesi i legalizimeve të përshpejtojnë për të shlyer në kohë detyrimet financiare.
Ridvan Bode: “Do të dëshiroja t’u bëja thirrje të gjithë atyre që kanë aplikuar dhe që kanë të drejtë të përfitojnë nga ligji i legalizimeve që të përshpejtojnë pjesëmarrjen e tyre drejtpërdrejt, angazhimin e tyre që ky proces të përfundojë sa më shpejt.”
Në qarkun e Korçës janë deklaruar 9962 objekte informale. Për 60% të tyre është bërë azhornimi i objekteve, ndërkohë që janë të gatshme për qytetarët 1050 leje legalizimi./tvklan.al
Gazetare: Daniela Zisi