Pas Vlorës dhe Fierit, ALUIZN-i ka nisur shpërndarjen e certifikatave të pronësisë edhe në Sarandë e Gjirokastër.
Në qytetin bregdetar kanë qenë 80 qytetarë që kanë marrë tapitë e para të objekteve të legalizuara, ndërkohë që janë në proces përmbylljeje rreth 300 dosje.
Sipas kreut të ALUIZN-it azhornimi i më shumë se 70% të ndërtimeve, i jep fund informalitetit në zonat turistike.
Shaban Memia: “Në qoftë se ka objekte informale të paregjistruara në zyrën e regjistrimit dhe janë deklaruar ato janë objekt i procesit dhe i reformës dhe ne i zgjidhim të gjithë problemet që mbartin ato, por në qoftë se janë pasuri të ndërtuara me leje dhe të regjistruara në zyrën e regjistrimit dhe nuk kanë zgjidhur raportin e pronësisë për këtë parcelë ndërtimore ato do të zgjidhen me një ligj tjetër.”
21 ka qenë numri i qytetarëve në Gjirokastër që kanë marrë certifikatën e pronësisë, ndërkohë që në proces janë edhe 200 dosje për legalizim objektesh.
“Ne jemi përpara një fakti që secili nga ne e ndjen veten pronar të ligjshëm dhe i lind e drejta të hyjnë në ekonominë e tregut”.
“Jam njeriu më i lumtur, sepse e nisëm që në fillim nga një pikë zero dhe shumë njerëz nuk na besuan”.
Gjirokastra është një ndër qytetet me numrin më të ulët të ndërtimeve informale, ndërkohë që në rang qarku objektet pa leje llogariten në 23 mijë.
Kreu i ALUIZN-t, Shaban Memia, ka bërë edhe njëherë thirrje për shlyerjen e detyrimeve financiare, një pjesë e të cilave do të shkojnë për përmirësimin e infrastrukturës në këto zona./tvklan.al