Zbërthimi i telefonit të Eneo Sulejmanit, i arrestuar më 21 Mars në Tiranë gjatë një operacioni antidrogë, ku i përfshirë ishte dhe një agjent i Operacionales, ka çuar AMP në zbardhjen e një skeme korruptive në Rinas, ku në akuzë janë 9 persona, 8 prej të cilëve efektivë policie. Për 2 të akuzuar u caktua masa “arrest me burg”, 3 në “arrest shtëpie”, 4 detyrim paraqitje, ndërsa 8 efektivë të tjerë hetim në gjendje të lirë.

Referuar dosjes hetimore që TV Klan disponon, 29-vjeçari, Sulejmani në bashkëpunim me punonjësit e policisë kundrejt vlerave monetare në afro 1 vit kanë kaluar drejt BE mbi 200 persona të padëshiruar.

Bëhet fjalë për shtetas të deportuar, të mitur të pa pajisur me prokuroria nga prindërit, apo me masa sigurie. Për çdo kategori, pagesa në formë rryshfeti varionte nga 50 deri në 500 Euro. Fakt ky që del në pah nga komunikimet e Eneo Sulejmanit dhe një prej efektivëve të Pikës Kufitare Rinas, Briken Tereziu.

Eneo Sulejmani: O vlla. Kemi i shok me arrest shtëpie. Niset dot?

Briken Tereziu: Duhet me e pa. Ma nis ta shoh.

Eneo Sulejmani: Po ja t’ma nisi. Tani

………………..

Eneo Sulejmani: Sot nis 500 me atë se ça ka me vete. Në qoftë se takohemi nesër t’bëj 1 vlla.

Briken Tereziu: Ok takohemi nesër mos e vrit mendjen

……………………

Eneo Sulejmani:  Kemi çunin e shokut tonë. E kemi nis dhe herë tjetër.

Briken Tereziu: Ça ka?

Eneo Sulejmani: Si ka mbushur 18 akoma.

Briken Tereziu: Të them për pak.

Referuar dosjes hetimore, Eneo Sulejmani binte në kontakte me pasagjerët përmes agjencisë së tij, ku 28-vjeçari u priste biletat e fluturimit e më pas kontaktonte efektivin, Briken Tereziu, i shpallur në kërkim. Ky i fundit në rastet kur ishte në punë, u ofronte ndihmë vetë udhëtarëve, ndërsa kur s’ishte i pranishëm, njoftonte kolegët e tij të vënë gjithashtu në akuzë si pjesë e kësaj skeme korruptive.

Tv Klan