Shkalla e parë e Gjykatës së Posaçme ka dënuar me 2 vite e 8 muaj burg ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako. Ai është shpallur fajtor për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në 2 raste. Gjykata dha të njëjtin vendim që kërkoi SPAK ndërsa pritet që vendimi të ankImohet në Apel.

Për tre të akuzuarit e tjerë gjykata vendosi pezullimin e dënimit me burg. Rasti i parë i shpërdorimit të detyrës ndaj Dakos ka të bëje për lejen e një pallati 7 katësh. Në dosjen e SPAK thuhet se pas lejes së parë për ndërtimin, pronari kishte aplikuar sërish për një leje për 4 kate shtesë. Por ndërkohë që leja e dytë nuk ishte zbardhur, punimet vijuan në kundërshtim me ligjin.

Në dosje thuhet se dokumentacioni i nevojshëm para nisjes së punimeve, përfshi edhe studimin sizmik, është kryer vetëm pasi pallati ishte ndërtuar dhe ishin futur banorët. Rasti i dytë lidhet me tenderin për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila.

Grupi i punës i ngritur nga ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, i cili kishte detyrë të përcaktonte fondin limit për tenderin, rezulton se ka bërë gabim në përllogaritje, duke e 10-fishuar vlerën. Sipas SPAK, buxhetit të bashkisë Durrës i është shkaktuar një dëm prej 18 milionë lekë. Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako u lirua nga burgu në shkurt të këtij viti për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit ndërsa hetimi ndaj tij vijoi nën masën e “arrestit në shtëpi”.

Klan News