Shtëpi të rrënuara, dhjetëra të tjera të rrënuara dhe banorë që kanë mbetur në qiell të hapur. Ky është bilanci i tërmetit që goditi mesnatën e djeshme Peshkopinë dhe disa rajone të vendit. Epiqendra e tij ka qenë kufiri shqiptaro-maqedonas, 3 km në lindje të fshatit Gjoricë.
Lëkundja e parë zgjati për rreth 15 sekonda dhe pati një fuqi prej 7 ballësh. Si pasjojë shumë prej banorëve të komunave Shupenzë, Gjoricë e Ostrenë e kaluan natën jashtë.
“Nga ky tmerr që kemi pa me sy, po të kishte zgjat edhe 5 sekonda të tjera do të ishte bërë katastrofë e pa pame”.
“Tmerr i madh është. Janë ça shpiat komplet, komplet savatimet në tokë. A hyhet në shpi tani?
“Kemi flet në makina, këtu në garazhde, me gjona përjashta”.
Nga shembja e shtëpive nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale. Lëkundjet e tërmetit u ndjenë edhe në rajone të tjera të vendit duke shënuar në Tiranë, Durrës e Kavajë një amplitudë 3 deri në 4 ballë.
Edmond Dushi: “Zona në fjalë njihet për aktivitetin e saj sizmik dhe është në vazhdimësi të një zone shkëputjesh tektonike tërthore me potencial sizmik dhe ka gjeneruar dhe në të kaluarën tërmete të kësaj natyre dhe më të fortë. Kshu që nuk është një ngjarje e rastësishme apo një ngjarje për të përbërë një panik”.
Ndërkaq shërbimi i emergjencave civile ka nisur drejt zonës ndihma në ushqime dhe asistencë teknike.
Laura Totraku: “Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile në bashkëpunim me drejtuesit e pushtetit vendor po bën verifikimet e dëmeve të shkaktuara. Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale, ka gati të gjithë ndihmën që do nevojitet në materiale dhe ushqime për banorët e dëmtuar”.
Në vendngjarje është gjendur dhe kryeministri Berisha, ndërkohë që kreu i LSI-së Ilir Meta, ka kërkuar nga qeveria dëmshpërblimin e banorëve të dëmtuar.
Ilir Meta: “Do të kërkojmë edhe njëherë tjetër nga qeveria ndërmarrjen e të gjithë masave efikase në mënyrë që këto dëme sa më shpejt të kompensohen”.
Kryetari socialist Edi Rama, kërkoi nga drejtuesit vendor të komunave në Peshkopi të angazhohen maksimalisht për të ndihmuar banorët e dëmtuar./tvklan.al