Të dhënat personale të çdo shtetasi shqiptar tashmë do të mbrohen me një ligj të posaçëm.
Institucioni që do të garantojë respektimin e këtij ligji, do të jetë zyra e komisionerit, e cila do të funksionojë në mënyrë të pavarur nga institucionet qeveritare.
Drejtues të lartë të institucioneve që përpunojnë të dhënat personale kanë diskutuar mbi mënyrën se si do të mbrohen dhe si do të përdoren të dhënat tona.
Genc Pollo: “I njohim nga rastet sporadike në përvojën tonë dhe mundësitë janë të ndryshme. Janë mundësitë e personave të jashtëm, të cilët depërtojnë në sistem në rrugë kriminale duke filluar nga “hackers”-at e pafajshëm deri tek ata me fajet më të mëdha deri tek nëpunësit apo funksionarët, të cilët mund të abuzojnë në pozicionin e tyre”.
Enkelejd Alibeaj: “Në kohën e koncesionit për letërnjoftimet dhe pasaportat biometrike zbatimi i drejtë i ligjit në mbrojtjen e të dhënave personale merr një rëndësi të jashtëzakonshme si për mbrojtjen e interesave shtetërorë, ashtu edhe të shtetasve.”
Gent Strazimiri: “Për arsye sigurie dhe auditi çdo kërkesë e të bërit në sistem nga sistemi i aplikimit për letërnjoftim elektronik ruhet për një periudhë 3-vjeçare. Lidhja e sistemit të dokumenteve të identitetit në regjistrin kombëtar të gjendjes civile janë shembulli i parë i suksesshëm”.
Robert Bosch, përfaqësues i OSBE-së kërkoi një angazhim më të madh të organeve qeverisëse në formulimin e ligjeve që do të zbatojë kjo zyrë për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe një fushate mediatike në ndërgjegjësimin e shtetasve shqiptarë./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani