Pajisja e qytetarëve me letërnjoftime elektronike do të mundësohet edhe për shtetasit që vuajnë dënimet në institucionet e burgjeve dhe të paraburgimit.
Lajmin e konfirmon zv/drejtori i përgjithshëm i burgjeve, Lulzim Kodra, i cili në një intervistë për Televizionin Klan u shpreh se pajisja e të burgosurve me letërnjoftime elektronike do të implementohet së shpejti. Sipas tij kjo do t’i shërbejë edhe procesit zgjedhor.
Lulzim Kodra: “Absolutisht duhet të pajiset. Siç ju thashë në fillim ne jemi në marrëveshje me Ministrinë e Brendshme. Po mbizotërojmë tashi për problemin e pagesës së tyre, kuotën e pagesës dhe caktimin në ditë të caktuara nga grupet e Ministrisë së Brendshme për të shkuar në çdo institucion të bëjnë regjistrimin dhe identitetin e tyre të gjithë të dënuarit dhe të paraburgosurit. Karta do të jetë si të gjithë qytetarët e tjerë. Do t’u shërbejë dhe në jetë civile. Infrastruktura e këtyre zgjedhjeve organizohet dhe menaxhohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Neve vëmë në dispozicion vetëm ambientet e zyrës. Komisionerët, të gjithë janë si në të gjitha qendrat e tjera të zgjedhjeve, dmth, përfaqësuesit e tyre janë nga forcat politike”.
Janë rreth 5060 të burgosur dhe të paraburgosur në të gjitha institucionet e vendimeve penale në Shqipëri, të cilët priten të shprehin vullnetin e tyre në zgjedhjet e ardhshme të Qershorit./tvklan.al